Lazim Destani, në 5 vjetorin e themelimit të Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë

Lazim Destani mori pjesë në aktivitetet disaditëshe për shënimin e 5-vjetorit të Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë

Lazim Destani mori pjesë në aktivitetet disaditëshe për shënimin e 5-vjetorit të Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë (KASH). Nën organizimin e KASH, këto aktivitete nisën me datë 9 maj në Tiranë, vazhduan në Prishtinë dhe sipas agjendës, ato u mbyllën më 13 maj në Shkup. Në këtë shënim përvjetori, mysafir special ishte grupi përfaqësues i Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë (KAA) i përbërë nga 17 ish-Ambasadorë që kanë kryer shërbimet diplomatike në vende të ndryshme të botës. 

Lazim Destani, si Anëtar i Bordit të Nderit të KASH, në këto aktivitete takoi shumë bashkatdhetarë, anëtarë të Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë, personalitete nga Diaspora jonë europiane e nga SHBA-ja, mjaft diplomatë karriere, si dhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë. Me këtë rast, pas aktiviteteve në Tiranë, në postimin e tij në Facebook Destani shprehet:

“Si anëtar i Bordit të Nderit i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) dje pata kënaqësinë të marr pjesë në shënimin e 5-vjetorit të këtij organizmi me rol të rëndësishëm në shërbim të politikës së jashtme kombëtare dhe të integrimit të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Në këtë vit jubilar, në Tiranë u mblodhën drejtues të KASH nga Shqipëria e Kosova, përfaqësues të Trupit Diplomatik, përfaqësues dhe anëtarë nga diaspora, si dhe grupi përfaqësues i Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë.

Gjatë kësaj ceremonie pata kënaqësinë të takohem me shumë bashkatdhetarë, anëtarë të Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë, personalitete nga diaspora jonë europiane e nga SHBA-ja, me mjaft diplomatë karriere, si dhe me përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë.

Pas Tiranës, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë do të vazhdojë me agjendën në Kosovë e në Maqedoninë e Veriut ku do të zhvillohen takime me përfaqësues të lartë të politikës, qeverive të këtyre dy vendeve dhe me përfaqësues të bizneseve”.

Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë ka realizuar takime me krerët e vendit. Anëtarë të Bordit të Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë të kryesuar nga Lazim Destani, janë pritur nga Kryeministri Albin Kurti si dhe nga kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca. KASH, nën shoqërimin e grupit përfaqësues të Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë, ka takuar gjithashtu Kryetarin e Prishtinës z. Përparim Rama, me të cilin kanë pasur një drekë të përbashkët pune.

Në vijim KASH dhe grupi përfaqësues i KAA kanë vizituar Kolegjin AAB ku kanë pasur dhe një seancë fjalimesh e bashkëbisedimi me drejtuesit dhe studentët e këtij Kolegji. Përmes një ceremonie speciale këtu, rektori i Kolegjit AAB, Lulzim Tafa, i ka dorëzuar Çmimin Ndërkombëtar për Demokraci dhe Integrim Kryetarit të Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë, Timothy Chorba. Ky çmim iu akordua diplomatit amerikan për kontributin që SHBA dhe diplomacia amerikane kanë dhënë për Kosovën. Z. Chorba falënderoi rektorin duke theksuar se ka vizituar qindra vende të botës por askund nuk e ka parë respektin dhe ngrohtësinë për SHBA-të siç e kishte parë gjatë kësaj vizite në Kosovë.

Aktivitetet e KASH nga Prishtina kanë kaluar në Shkup ku gjithashtu kanë gjetur pritje shumë miqësore duke nisur me darkën e shtruar nga Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, për të vazhduar të nesërmen me autoritetet e tjera të vendit. Këtu, në rezidencën presidenciale të këtij vendi, me grupin e ambasadorëve amerikanë e shqiptarë ka realizuar takim Presidenti i vendit Stevo Pendarovski, ndërsa drekë pune për mysafirët ka shtruar Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi. Pas takimeve të realizuara edhe me përfaqësuesit e partive opozitare, grupi i ambasadorëve ka vizituar lokacionin arkeologjik Stobi si dhe kantinën e verës ‘Tikvesh’ në qytetin e Kavadarit.

Me takimet dhe vizitat e realizuara në Maqedoninë e Veriut, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i ka mbyllur me sukses aktivitetet për shënimin e 5-vjetorit të KASH.


Previous
Previous

Lazim Destani, në mesin e veteranëve të KF SHKËNDIJA

Next
Next

Prishtinë / Lazim Destani merr pjesë në Forumin Ekonomik të Vienës