Lazim Destani, në mesin e veteranëve të KF SHKËNDIJA

Pas gati gjysmë shekulli në Tetovë takohen veteranët patriotë e dashamirës të futbollit të cilët në vitin 1979 i vunë themelet dhe ngritën Klubin e Futbollit Shkëndija. Ky takim u realizua në saje të iniciativës së futbollistit të gjeneratës së parë të kuqezinjve, shqiptaro-amerikanit Bruno Ceka, i cili po shijon ditë të bukura pushimi në Tetovën e tij që e viziton shumë shpesh.

Në këtë takim arritën të mblidhen shumë nga themeluesit e drejtuesit e atëhershëm të klubit, si dhe plot nga ata që në ’79-ën me fanellën kuqezi e shkelën për herë të parë fushën e gjelbër. Ata kaluan një mbrëmje të bukur së bashku duke u çmallur e duke risjellë me bisedat e tyre ngjarje që kanë lënë gjurmë lavdie në historikun e klubit.

I ftuar në këtë darkë miqësore mori pjesë edhe bashkëqytetari i këtyre veteranëve, Lazim Destani, i cili përmes kompanisë së tij Ecolog është sponsori kryesor i KF Shkëndija tash e dhjetë vjet.

Kënaqësinë e pjesëmarrjes në këtë takim miqësor Lazim Destani e ka shprehur përmes një postimi në Facebook ku shkruan:      

“Kënaqësi e veçantë të jesh në mesin e emrave të nderuar të gjeneratës së parë të KF Shkëndija, të atyre që në vitin e largët 1979 në Tetovë e themeluan këtë klub kuqezi. Ftesën për të marrë pjesë këtu me kënaqësi e pranova nga iniciatori i këtij takimi miqësor, nga miku im Bruno Ceka, i cili në ’79-ën ishte njëri nga futbollistët e Shkëndijës.

Për mbajtjen e këtij takimi jo pa qëllim ishte zgjedhur qebaptorja ‘Matranç’, pikërisht në këtë qebaptore në vitin 1979 drejtuesit e klubit kishin mbajtur takime si dhe ishin organizuar drekat e darkat për futbollistët. Ndërsa për të qenë simbolika krejtësisht e plotë, edhe darka e takimit të mbrëmshëm ishte si ajo e ’79-tës, një ‘dhjetëshe’ (10 qebapë)!

Me këtë rast, shqiptaro-amerikanin dhe veprimtarin Bruno Ceka e falënderoj për ftesën ku kaluam një mbrëmje të bukur së bashku duke i kujtuar plot emocion ngjarjet nga ajo kohë e largët, prej para më se katër dekadash.”

Previous
Previous

Preshevë / Lazim Destani merr pjesë në Konferencën Ekonomike në Luginën e Preshevës

Next
Next

Lazim Destani, në 5 vjetorin e themelimit të Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë