map of north macedonia outlined
image shows a view of the Bozovce billage

Biografia.

the schadow arkaden building located in dusseldorf, germany.
the map of germany outlined

Lazim Destani

Lazim Destani është sipërmarrës, investitor, filantrop, si dhe mbështetës entuziast i popullit shqiptar dhe i vendeve të Ballkanit në përgjithësi. Ai është gjithashtu një personalitet i njohur për mbështetjen e iniciativave që synojnë avancimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor si pjesë integrale e idesë europiane.

Lazim Destani lindi në vitin 1954 në fshatin Bozovcë të rrethit të Tetovës, Maqedoni e Veriut. Me mbarimin e shkollës fillore ai regjistrohet në shkollën e mesme ekonomike në Prishtinë. I shtyrë nga rrethanat ekonomike lokale si dhe i nxitur nga ambiciet dhe ëndrrat për të ardhmen, Lazim Destani pa mbushur 17 dhe duke ndërprerë shkollimin, vendos të emigrojë drejt Gjermanisë.

Me personalitetin e tij të fortë dhe i bindur që fati duhet ndjekur në mënyrë aktive, ai tashmë në Gjermani, nis me punë në një uzinë për përpunimin e drurit ndërsa krahas punës vijon me korrespondencë dhe mbaron shkollën ekonomike që kishte nisur në Prishtinë. Pas ndjekjes së kurseve dhe përvetësimit të gjuhës gjermane ai nis studimet për Komunikacion dhe Turizëm në shkollën e lartë “Rheinisch-Westfalische Technische Hochschule” në Aachen. Si kuadër tashmë i specializuar i këtij drejtimi, në vitin 1982 ai punësohet në kompaninë për transport udhëtarësh ASEAG, me bazë po në Aachen, ku punon për gati pesë vjet me radhë.

Në vitin 1987 Lazim Destani themelon biznesin e tij të parë në Gjermani, kompaninë për transport udhëtarësh ‘Sharr Turist’, me bazë në Stolberg. Përmes këtij biznesi, synim parësor dhe mision i Lazim Destanit ishte që bashkatdhetarëve të tij t’u ofrojë transport më të lehtë, më të lirë e më të rehatshëm. Për një kohë të shkurtër ky biznes u rrit duke hapur përfaqësitë e veta në shumë kryeqendra gjermane e në vendet përreth, e duke ofruar udhëtime të rregullta direkte me autobus dhe aeroplan mes vendeve të Ballkanit dhe vendeve të Europës Perëndimore si, Gjermania, Zvicra, Belgjika, Holanda, e vende të tjera. Si biznes i parë i këtij lloji dhe lider në tregun e transportit në këto linja, ‘Sharr Turist’ u bë emër i mirënjohur duke shërbyer si urë lidhëse mes Ballkanit dhe Europës Perëndimore. Krahas transportit të udhëtarëve, ‘Sharr Turist’ gjithashtu ka bërë organizimin e aranzhmaneve turistike si dhe ka qenë përfaqësues i disa avio-kompanive. Ky shërbim inovativ u mirëprit dhe u vlerësua gjerësisht, sidomos nga emigrantët e vendeve të Ballkanit me punë në Europën Perëndimore, pra diçka që atyre u kishte munguar më parë.

Suksesi i Lazim Destanit dhe kuptimi për avantazhet që biznesi i sjell shoqërisë ishin një nxitje që ai këtë shpirt dhe filozofi biznesi ta bartë edhe te bijtë e tij. Ata u rritën duke u edukuar në këtë frymë dhe sot kanë arritur majat e suksesit duke u bërë shembull në fushat respektive, në sferën e biznesit e në industrinë e artit filmik.

Në vitin 2007, pas një periudhe të suksesshme 20 vjeçare në treg, ‘Sharr Turist’ u ristrukturua dhe ndërroi funksionin duke u vënë në shërbim të Grupit të bizneseve të familjes Destani. Nga ky vit, Lazim Destani merr rolin e tij si Kryetar i Bordit Mbikëqyrës i Grupit të bizneseve familjare. Krahas angazhimeve të reja në sferën e biznesit, ai atëherë e sot pjesën më të madhe të kohës e të energjisë ia dedikon aktiviteteve filantropike e humanitare, zgjidhjes së çështjeve shoqërore në Ballkanin Perëndimor dhe promovimit të rajonit, si dhe aktiviteteve në mbështetje të diasporës shqiptare.

I brengosur për shkallën e lartë të papunësisë në Ballkanin Perëndimor ai gjithmonë ka ofruar mundësi punësimi, që nga fillimi i karrierës së tij në biznes. Sot, përmes kompanive që zotëron familja e tij, këto principe reflektohen dhe materializohen si në rajon ashtu dhe nëpër botë, në të gjitha vendet ku ato operojnë.

Lazim Destani beson se arsimi, shkenca, kultura dhe sporti janë faktorë vendimtarë për përparimin e një shoqërie apo për zhvillimin e gjithanshëm të një vendi. Ai e konsideron si detyrë humanitare dhe patriotike mbështetjen e vazhdueshme dhe progresive të aktiviteteve e projekteve nga këto sfera. Në mënyrë të veçantë ai angazhohet për inkurajimin dhe motivimin e rinisë së vendeve të Ballkanit duke u ofruar mundësi punësimi e duke i mbështetur iniciativat e tyre. Për arritjen e rezultateve sa më të larta në këtë drejtim, ai ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi mes kompanive të familjes së tij dhe shkollave, universiteteve, shoqatave të sportit apo organizatave ndërkombëtare.

Lazim Destani beson fort se komunitetet dhe familjet janë më të fuqishme kur për qëllime të përbashkëta punojnë së bashku. Ai ndjek rrugë të ndryshme për t’i bërë bashkë njerëzit dhe institucionet duke synuar partnerizimin dhe avancimin e zhvillimit ekonomik e shoqëror. Në shërbim të këtij misioni ai merr pjesë në mënyrë aktive në evente kombëtare e ndërkombëtare për promovimin dhe ngritjen e ndërgjegjes rreth bashkëpunimeve të kësaj natyre.

Një pjesë nga të ardhurat e tyre Lazim Destani dhe familja e tij për çdo vit e ndajnë për bamirësi si dhe për mbështetjen e iniciativave nga sfera e arsimit, shkencës, artit, sportit, e të aktiviteteve të ndryshme kulturore.

Lazim Destani dhe gruaja e tij Rasimja kanë tre djem, ndërsa jetën e tyre e bëjnë mes Tetovës së tyre të dashur dhe Dyzeldorfit.

“Shoqëria jonë ka dëshmuar vlera të larta, ndërsa në veçanti ajo shquhet për rininë e saj të shëndoshë dhe premtuese për të ardhmen.”

— Lazim Destani