Lazim Destani, në Samitin “BE takon Ballkanin”

SOFJE – Për dy ditë me radhë (26-27 prill) në Sofje i zhvilloi punimet Samiti “Bashkimi Europian takon Ballkanin”, ku u trajtuan tema të ndryshme nga aktualiteti si, lufta në Ukrainë, apo çështjet e zgjerimit dhe anëtarësimit të Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut.

Përkrah ministrave të jashtëm të vendeve të Ballkanit, në këtë Samit në Sofje ishin prezent përfaqësues të lartë të Bashkimit Europian dhe të NATO-s. Në këtë aktivitet ishte i ftuar dhe filantropi e aktivisti i çështjeve të shoqërisë, Lazim Destani. Përmes rrjeteve sociale praninë e tij në këto takime e ka bërë të ditur vetë z. Destani ku në mënyrë të përmbledhur njofton mbi takimet dhe qëllimin e Forumit.

“Forumi i sivjetëm “BE takon Ballkanin” u mbajt dje në Sofje të Bullgarisë. Kjo ngjarje e rëndësishme në kryeqytetin bullgar, ku morën pjesë personalitete të larta të Bashkimit Europian e të NATO-s si dhe Ministrat e Jashtëm të vendeve të Ballkanit si dhe përfaqësues të sferës së ekonomisë e të biznesit nga këto vende.

Këtu u shtruan e u diskutuan tema mjaft të rëndësishme që e rëndojnë rajonin e Ballkanit, mbi çështje që janë tejet aktuale. Ndër këto, vëmendje e vaçantë iu kushtua situatës në Ukrainë, luftës në këtë vend si dhe ndikimi apo rreziqet e mundshme për rajonin e Ballkanit.

Lidhur me temën ‘Përfitime nga Integrimi’, ishte mjaft konstruktiv diskutimi mes Ministrave të Jashtëm të rajonit që u zhvillua nën moderimin e ish-Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherini.

Në këtë Samit ishte i pranishëm edhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak si dhe komisioneri Europian për Politikat e Fqinjësisë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi.

Anëtarësimi i Kosovës në strukturat Euroatlantike dhe aderimi i Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në Bashkimin Europian morën gjithashtu vëmendjen e merituar ku të gjithë ishim dakord se janë ndër temat që kërkojnë zgjidhje sa më të shpejtë” shkruan Destani në profilin e tij në Facebook.

Previous
Previous

Lazim Destani merr pjesë në Forumin e Bizneseve të Diasporës

Next
Next

Dhoma e Biznesit të Diasporës prezanton: Perspektiva të reja investimi në atdhe