Lazim Destani viziton bizneset shqiptare në Bursa të Turqisë

Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare në Europë ka zhvilluar një vizitë dyditëshe pune (28-29 prill) në Bursa të Turqisë. Më se 30 afaristë nga vende të ndryshme të Europës e nga Kosova ishin pjesë e agjendës së organizuar nga Shoqata e Bizneseve Shqiptare në Turqi, ARNIAD.

Në mesin grupit të biznesmenëve që vizituan Bursën ishte dhe Presidenti i Nderit i Dhomës së Biznesit të Diasporës si dhe Kryetar Nderi i Rrjetit Global të Bizneseve të Diasporës Shqiptare, Lazim Destani.

Në ditën e parë të këtij aktiviteti, sipërmarrësit nga diaspora europiane vizituan një numër biznesesh të shqiptarëve që jetojnë në këtë qytet si dhe u pritën në takim edhe nga Kryetari i Komunës së Bursës, z. Alinur Aktash.

Në ditën e dytë u mbajt takim i përbashkët i sipërmarrësve mysafirë dhe atyre vendës. Duke iu referuar fjalës së tij përshëndetëse në këtë takim, z. Destani në rrjetet e tij sociale shprehet:

“Te afaristët shqiptarë të Bursës unë pashë një organizim shumë të mirë sado që Shoqata e Bizneseve Shqiptare atje ishte themeluar vetëm disa muaj më parë. Ata kishin vullnet të madh bashkëpunimi mes vete ndërsa e potencova se ky takim i yni krijon mundësi bashkëpunimi tashmë mes afaristëve shqiptarë nga Europa dhe bizneseve të bashkëkombësve tanë nga Turqia”.  

Në përmbyllje të kësaj vizite dyditëshe, sipërmarrësit nga Rrjeti i Bizneseve Europiane dhe sipërmarrësit turko-shqiptarë nga Bursa realizuan takime B2B.

“Këto takime janë për t’u vlerësuar lart, prandaj bizneset shqiptare kudo që operojnë duhet të vazhdojnë me takime të këtilla pasi sa më afër të jemi me njëri tjetrin e sa më shumë bashkëpunim të kemi ne bëhemi më të bashkuar e më të fortë”,

Shkruan në profilin e tij në facebook z. Destani, i cili  gjatë kësaj vizite u vlerësua me mirënjohje nga Shoqata e Bizneseve Shqiptare në Turqi si edhe nga Kryetari i Komunës së Bursës.

Previous
Previous

Prishtinë / Lazim Destani merr pjesë në Forumin Ekonomik të Vienës

Next
Next

Tetovë/ Lazim Destani, në ceremoninë e vënies së gur-themelit të Korridorit 8