2020/01/14

Universiteti i Tetovës shënon 25 vjetorin e themelimit

Përurohet shtatorja e themeluesit të Universitetit dhe “Flakadani i Kujtesës”, dy vepra arti këto, dhuratë Universitetit nga filantropi Lazim Destani. Plot një çerekshekulli përpjekjesh të pafundme për arsimimin dhe universitetin shqip në Tetovë, tashmë ky universitet mban emrin e ideatorit, themeluesit dhe rektorit të parë, Fadil Sulejmani.

Universiteti i Tetovës këtë përvjetor jubilar, 25 vjetorin e themelimit, e shënoi me një varg aktivitetesh për disa ditë me radhë. Ajo që shënimin e këtij përvjetori e bëri të veçantë ishte ngritja e shtatores së Fadil Sulejmanit para godinës së këtij Universiteti si dhe emri i ri që iu dha kësaj vatre të dijes duke e komplementuar me emrin e themeluesit dhe rektorit të parë, Universiteti i Tetovës “Fadil Sulejmani”.

Krahas shtatores së rektorit historik të universitetit, po këtë ditë më 16 dhjetor 2019, në hapësirën e universitetit u përurua edhe lapidari “Flakadani i Kujtesës”, i ngritur në shenjë nderimi për gjithë ata që dhanë gjënë më të shrenjtë, jetën e tyre, për shkollën shqipe, për arsimin shqip.

Në prani të zyrtarëve të lartë të universitetit, politikanëve dhe autoriteteve të vendit, stafit akademik e studentëve si dhe anëtarëve të familjes së Fadil Sulejmanit, rektori Vullnet Ahmeti tha, “25 vjet pas themelimit, Universiteti i Tetovës është shndërruar në një institucion që prodhon kuadro të përgatitura për tregun e punës, shënon rezultate të larta në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, ndërsa mbështet një numër të madh të studentëve të shkëlqyeshëm përmes bursave të plota”.

Rektori Ameti gjatë fjalës së tij, në emër të stafit akademik, i shprehu falënderime z. Destani duke e çmuar lart kontributin që ka dhënë për këtë universitet, që nga themelimi e gjer te dhurimi i këtyre dy veprave të artit, shtatores së Fadil Sulejmanit dhe Flakadanit të Kujtesës.

Kryetari i Kuvendit të Republikës, Talat Xhaferi, e vuri theksin mbi sakrificat e shumta për krijimin dhe mbajtjen gjallë të këtij universiteti. “Universiteti i Tetovës është ngritur me sakrificat e shumë shqiptarëve, profesorëve dhe studentëve. Ky tempull i diturisë, dëshmon dashurinë e madhe të një populli për dije dhe arsimim”, tha Xhaferi.

Lazim Destani, në fjalën e tij përshëndetëse në këtë përvjetor jubilar, e çmoi lart punën e bërë në këtë Universitet, që nga themelimi, “Përgjatë këtij çerekshekulli Universiteti i Tetovës është gjendur përballë sfidave shumë të vështira, por ka qenë më i fuqishëm ideali, vullneti dhe vendosmëria e gjithë atyre që e mbështetën këtë vatër të dijes. Ishte rinia studentore, profesorët dhe popullata e kësaj ane që i dhanë mbështetjen e fuqishme iniciatorëve të këtij projekti, intelektualëve të guximshëm me në krye profesorin Fadil Sulejmani – Rektori i parë dhe historik i Universitetit të Tetovës. Rezultatet dhe sukseset që gjatë këtyre 25 viteve i ka arritur ky universitet janë evidente, janë të dukshme, por zhvillimi dhe rritja e universiteteve nuk kanë mbarim. Andaj, le të vazhdojmë ta mbështetim e ta rritim këtë tempull të dijes duke e mbajtur përkrah universiteteve më të mira të rajonit e më gjerë”, tha Destani.

 

Artikuj të ngjashëm
04.02.2021
Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës (AShAK) ka promovuar sot librin “Demografia e Kosovës” me autor, Akadmik Hivzi Islami....
08.01.2021
Me rastin e përfundimit të punës prej më se 30 vjetësh në Kongresin Amerikan, Lazim Destani e ka çmuar lart...
22.12.2020
Dje, më 21 dhjetor, u mbajt takimi përmbyllës për vitin 2020 i Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare me ç’rast...