2018/06/27

Takim i degëve europiane të Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare

Lazim Destani ishte nikoqir dhe pjesëmarrës në takimin e kryesive të degëve europiane të Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare (RrBDSh) që këto ditë u mbajt në Dyzeldorf.

Në këtë takim, të kryesuar nga kryetari i Rrjetit për Europë Yll Blakaj, kryetarët e degëve nga vendet përkatëse europiane prezantuan progresin e arritur gjatë këtij viti afarist si dhe paraqitën propozime duke shtjelluar projekt-idetë e tyre nga sfera të ndryshme për investime në projekte konkrete në rajonin e Ballkanit.

Takimi i zhvilloi punimet në frymë shumë pozitive ku të gjithë pjesëmarrësit, me diskutimet e tyre, ishin tejet konstruktiv. Gjithashtu u konstatua se tashmë Rrjeti ka arritur një nivel admirues organizimi që është për ta çmuar dhe shumë domethënës për koordinimin e hapave të mëtejshëm për t’i çuar përpara me sukses proceset dhe punën e Rrjetit në përgjithësi.

“Nga roli im si kryetar nderi i RrBDSh-së, e çmoj lart ruajtjen dhe forcimin e unitetit mes anëtarëve pasi këto paraqesin pikënisjen tonë parësore statutare, por edhe njerëzore. Kurrë s’e kisha parë Rrjetin kaq homogjen dhe në të njëjtën vijë mendimi.” tha Lazim Destani.

Nga anëtarët e takimit sërish u nënvizua konstatimi i përbashkët për nevojën e rritjes së bashkëpunimit dhe efikasitetit mes strukturave të RrBDSh-së dhe institucioneve përkatëse në trojet tona. Një bashkëpunim i mirëfilltë mes këtyre do të ishte në funksion të krijimit të ambientit të përshtatshëm për nxitjen e investimeve të huaja dhe në veçanti për motivimin e investitorëve shqiptarë të cilët me shumë sukses po operojnë në botën perëndimore.

Gjatë takimit u zhvillua dhe një seancë pune për definimin e statutit të organizatës me ç’rast përpiluesi i këtij dokumenti, profesori Abdylmenaf Bexheti, para pjesëmarrësve bëri një prezantim të detajuar të tij. Ai shtroi për diskutim pika të caktuara të kësaj rregulloreje si dhe mori rekomandime nga pjesëmarrësit për të ardhur te forma finale e statutit i cili pritet të miratohet në takimin e radhës, në shtator të këtij viti. Kryesitë e degëve europiane të Rrjetit e çmuan lart kontributin e Bexhetit për hartimin e këtij dokumenti bazë për funksionimin e mirëfilltë të Rrjetit. Krahas miratimit të statutit, RrBDSh në takimin e shtatorit do t’i zhvillojë edhe zgjedhjet për organet drejtuese të Rrjetit për katër vitet e ardhshme.

“Është admirues fakti që ndër anëtarët e Rrjetit tashmë është arritur nivel i lartë organizimi ku spikat fryma e bashkëpunimit dhe bashkërrenditja e aktiviteteve për realizimin e projekteve madhore. Përgjegjësia jonë si biznesmenë të diasporës është e madhe pasi ne kemi fuqinë për ta ndihmuar mëkëmbjen e ekonomisë në trojet tona.” ishin fjalët e Lazim Destanit në mbyllje të takimit të kryesive të degëve europiane të Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare.

Artikuj të ngjashëm
07.06.2019
Lazim Destani merr pjesë në këtë konferencë tre-ditëshe ku po realizon një agjendë të ngjeshur takimesh. Konferenca, që ndryshe njihet...
22.05.2019
Klubi i futbollit Shkëndija, të dielën më 19 Maj 2019, e ngriti trofeun për titullin e kampionit të stinorit 2018/2019....
22.05.2019
Si përkrahës dhe aktivist i zhvillimit ekonomik të rajonit të Europës Juglindore, Lazim Destani, mori pjesë në konferencën e posaçme...