2020/01/14

Në Tiranë krijohet Dhoma e Biznesit të Diasporës Shqiptare

Nën organizimin e Fondit Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës dhe me mbështetjen e Ministrit të Shtetit për Diasporën, më 27 nëntor 2019, në Tiranë u themelua Dhoma e Biznesit të Diasporës. Në aktin e themelimit morën pjesë biznesmenë nga diaspora, autoritete shtetërore si, Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduart Shalsi, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, e të tjerë.

Tashmë të gjithë sipërmarrësit shqiptarë në botë kanë një pikë takimi të përbashkët në Shqipëri, Dhomën e Biznesit të Diasporës Shqiptare, një institucion që ka për qëllim krijimin e një rrjeti bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe investitorëve shqiptarë duke krijuar ambient të përshtatshëm për një  bashkëpunim ekonomik mbarëshqiptar.

Ceremonia e hapjes nisi me inaugurimin e zyrave ku pasoi takimi i parë i anëtarëve të Dhomës me ç’rast u zgjodh kryesia e Dhomës së Biznesit të Diasporës. Kryetar i Dhomës u zgjodh Ardian Lekaj ndërsa President Nderi i Dhomës, Lazim Destani.

Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, u shpreh i gëzuar për krijimin e Dhomës së Biznesit të Diasporës. Ai me këtë rast falënderoi bizneset shqiptare të diasporës që u bënë pjesë e kësaj Dhome duke u ofruar atyre mbështetjen e plotë të dikasterit që ai drejton. “Krijimi i Dhomës së Biznesit të Diasporës është shumë me rëndësi në afrimin e sipërmarrësve shqiptarë me vendin e tyre të origjinës, me qëllim që ata të sjellin eksperiencën dhe përvojën e biznesit nga bota perëndimore, duke ndikuar pozitivisht në zhvillimin ekonomik të këtij vendi”, tha Ministri Majko.

Gjatë ceremonisë së hapjes Presidenti i Nderit i Dhomës, Lazim Destani, në fjalën e tij përshëndetëse e çmoi lart nismën e ndërmarrë për hapjen e kësaj Dhome, si një mundësi bashkëpunimi mes të gjithë sipërmarrësve të Diasporës. Ai e vuri theksin tek roli i Ministrit të Shtetit për Diasporën në inicimin e ndryshimeve dhe plotësimeve në sferën e rregullativave për bërje biznesi si dhe rolin e këtij dikasteri në ndërtimin e politikave shtetërore ekonomike për zhvillimin e vendit. “Unë personalisht, si dhe bashkë me grupin e bizneseve tona gjithandej, mbetem i përkushtuar për ta dhënë kontributin tim, për t’i çuar këto procese përpara”, tha Destani.

Kryetari i Dhomës, Ardian Lekaj, i përshëndeti të pranishmit në aktivitet dhe foli për rëndësinë e Dhomës së Biznesit të Diasporës në përafrimin e bizneseve shqiptare në botë dhe për krijimin e mundësive më të mira për investime në Shqipëri. “Kjo dhomë si një strukturë e re e krijuar do të jetë një ndihmë dhe mbështetje për gjithësecilin sipërmarrës shqiptar nga Diaspora, për të lehtësuar procesin e investimit të tyre në Shqipëri”,  tha Lekaj.

 

 

Artikuj të ngjashëm
04.02.2021
Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës (AShAK) ka promovuar sot librin “Demografia e Kosovës” me autor, Akadmik Hivzi Islami....
08.01.2021
Me rastin e përfundimit të punës prej më se 30 vjetësh në Kongresin Amerikan, Lazim Destani e ka çmuar lart...
22.12.2020
Dje, më 21 dhjetor, u mbajt takimi përmbyllës për vitin 2020 i Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare me ç’rast...