Lazim Destani

Lazim Destani është sipërmarrës i suksesshëm, filantrop dhe mbështetës entuziast i popullit shqiptar, në vend dhe jashtë tij. Ai është gjithashtu i njohur për mbështetjen e iniciativave që kanë për qëllim avancimin e Ballkanit Perëndimor si pjesë integrale e idesë europiane.

Lazim Destani
1954
Fëmijëria

Lazim Destani lindi në vitin 1954 në fshatin Bozovcë, pranë qytetit të Tetovës në Maqedoni.

1970
Emigrimi drejt Gjermanisë

I shtyrë nga rrethanat lokale ekonomike,  që në moshë të re,  në vitet e shtatëdhjeta emigroi nga Maqedonia në Gjermani. Me personalitetin e fortë dhe i bindur që fati duhet ndjekur në mënyrë aktive, ai filloi të punojë dhe të studiojë paralelisht.

1987
Biznesi i parë

Në vitin 1987 Lazim Destani e themeloi biznesin e tij të parë në Gjermani, kompaninë e udhëtimeve Sharr Turist, e cila udhëhiqej me misionin që në radhë të parë t’i ofrojë komunitetit të tij transport më të lehtë, më efikas, dhe më të këndshëm. Për një kohë të shkurtër ky biznes u rrit dhe filloi të ofrojë udhëtime të rregullta direkte tokësore dhe ajrore mes Ballkanit dhe Europës Perëndimore, duke përfshirë Gjermaninë, Zvicrën, Belgjikën, Holandën dhe shtete të tjera. Si biznesi i parë i llojit të vet që krijoi udhëtime direkte drejt Ballkanit, Sharr Turist-i u bë urë lidhëse mes Ballkanit dhe Europës Perëndimore. Ky shërbim inovativ u çmua gjerësisht, sidomos nga emigrantët e Ballkanit, të cilëve u mundësoi lidhje direkte mes vendlindjes dhe vendeve ku punonin, diçka që ata nuk e kishin patur në dispozicion më parë.

Suksesi i Lazim Destanit në biznes dhe kuptimi i tij për avantazhet që biznesi ofron në shoqëri e udhëhoqi atë drejt inkurajimit të shpirtit biznesor edhe në vet familjen e tij. Tre djemtë e tij i morën në konsideratë këto mësime duke u bërë shembuj në fushat respektive,  biznes dhe art. Ndër vite, kjo çoi drejt një grupi biznesesh familjare të rëndësishme dhe të suksesshme, që operojnë në nivel global.

2007
Angazhimi

Sharr Turist u zgjerua dhe lulëzoi deri në përvjetorin e tij të 20-të në vitin 2007. Që nga ajo kohë, si rrjedhojë e ndryshimeve në treg dhe impaktit të tyre mbi modelin e biznesit, kompania u ristrukturua për t’u bërë pjesë e shërbimeve të bizneseve të familjes Destani.

Meqë kishte qenë dëshmitar i benefiteve transformuese të hapjes së Ballkanit Perëndimor përmes biznesit të tij të udhëtimeve, Lazim Destani shfaqi dëshirë që këtë mision tashmë ta bëjë përmes përpjekjeve filantropike, dhe krahas kësaj të vazhdojë me aktivitetet e tij sipërmarrëse duke ofruar  mbështetje në formë konsultimesh për bizneset e familjes së tij si dhe për kompanitë tjera.

Sot
Angazhimi i tashëm

Botëvështrimi i Lazim Destanit ngërthen besimin se çdokush ka përgjegjësi personale në dhënien e kontributit për zgjidhjen e problemeve shoqërore. Sot ai pjesën më të madhe të kohës e të energjisë ia dedikon zgjidhjes së çështjeve shoqërore në Ballkanin Perëndimor si dhe promovimit të rajonit.

I brengosur për papunësinë e rinisë në Ballkanin Perëndimor ai gjithmonë ka ofruar mundësi punësimi që nga fillimi i karrierës së tij në biznes, dekada më parë. Sot, përmes kompanive që  zotëron familja e tij, këto principe reflektohen dhe materializohen si në rajon ashtu dhe në të gjitha vendet ku ato operojnë.

Lazim Destani beson se arsimi, sporti dhe kultura janë vendimtare për zhvillimin e vendit.  Ai e konsideron si detyrë humanitare dhe patriotike mbështetjen e vazhdueshme dhe progresive të këtyre sferave. Në këtë drejtim, ai ka realizuar projekte dhe programe specifike bashkëpunimi mes kompanive të familjes së tij dhe shkollave, universiteteve e shoqatave sportive.

Lazim Destani dhe familja e tij gjithashtu dhurojnë një pjesë nga të ardhurat e tyre vjetore për bamirësi apo për mbështetjen e iniciativave kulturore dhe edukative.

Krahas kësaj, Lazim Destani beson fort se familjet dhe komunitetet janë më të fuqishëm kur për qëllime të përbashkëta punojnë së bashku.  Ai ndjek rrugë të ndryshme për t’i bërë bashkë njerëzit dhe institucionet nga disiplina të ndryshme me qëllim që të partnerizohen dhe ta avansojnë zhvillimin ekonomik dhe shoqëror. Në shërbim të këtij misioni ai merr pjesë në mënyrë aktive në evente ndërkombëtare për promovimin dhe ngritjen e ndërgjegjes rreth bashkëpunimeve të kësaj natyre.

Lazim Destani dhe gruaja e tij Rasimja kanë tre djem. Ai është i pasionuar pas poezisë, historisë e fotografisë dhe është përdorues entuziast i pajisjeve të teknologjisë së informatikës.