2019/12/26

Lazim Destani viziton zonat e goditura nga tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri

I prekur thellë nga pasojat e tërmetit që goditi Shqipërinë, Lazim Destani viziton qytetet që e pësuan nga kjo fatkeqësi natyrore. Lëkundjet e tokës lanë pas dhjetëra viktima, qindra të lënduar dhe shumë ndërtesa e shtëpi të shembura. Mijëra të tjerë, të tronditur e pa kulm mbi kokë, u strehuan nëpër salla sportesh e nëpër kampet e ngritura në fusha futbolli. Po këtë ditë, Lazim Destani dërgon gjithashtu një kontingjent me ndihma emergjente për t’u ardhur në ndihmë banorëve të kësaj ane.

I shoqëruar nga Ministri i Shtetit për Diasporën, z. Pandeli Majko, Lazim Destani gjatë kësaj dite vizitoi pikat ku kishte më shumë dëme e viktima si dhe kampet ku ishin strehuar banorë nga Durrësi e Thumana e Fushë-Krujës si dhe nga vendbanimet e tjera të kësaj zone. Në Durrës z. Destani vizitoi Shtabin e Emergjencës ku me drejtuesit bisedoi për menaxhimin e situatës dhe masat e ndërmarra. Ai pa nga afër kushtet në kampin e ngritur në Thumanë duke vizituar dhe çadrën-ambulancë ku shumë njerëz merrnin ndihmë mjekësore pas traumave që kishin pësuar.

Lazim Destani gjithashtu takoi dhe personelin e qendrave të pritjes së të dëmtuarve ku e vlerësoi lart angazhimin e tyre, duke i inkurajuar ata të mos reshtnin së ndihmuari njerëzit të cilët, në këto momente të vështira për ta, ndihmën e të tjerëve e kishin më se të nevojshme.

Gjatë kësaj vizite Lazim Destanin e priti në takim edhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Kryebashkiaku me këtë rast bëri një paraqitje të përgjithshme të dëmeve të shkaktuara në Tiranë nga tërmeti i një dite më parë. Lazim Destani gjatë kësaj bisede me z. Veliaj shprehu keqardhje për situatën ndërsa e siguroi se ndihma nga biznesi i tij familjar, qytetit të Tiranës nuk do t’i mungojë.

Në një postim po këtë ditë, z. Destani vizitën e tij e ka përmbledhur në këtë mënyrë, “Sot, përmes një vizite në zonat e prekura nga tërmeti i djeshëm, ndava dhembjen me vëllezërit tanë në kampet e ngritura në Durrës e në Thumanë të Fushë-Krujës ku nga afër pashë dëmet dhe vuajtjet e banorëve të këtyre anëve. I prekur thellë nga kjo e keqe, lutem për shërimin e të lënduarve si dhe tejkalimin e situatës sa më shpejt. Ngushëllime të sinqerta u shpreh sërish familjeve të viktimave nga kjo fatkeqësi tragjike.”

Me të përfunduar qëndrimin në Shqipëri, Ministri Majko e falënderoi zotin Destani për vizitën mbështetëse në këto momente të vështira për Shqipërinë si dhe në mënyrë të veçantë i shprehu mirënjohje për kontingjentin me ndihma që arriti ndër të parat nga jashtë vendit.

Artikuj të ngjashëm
23.09.2022
Lazim Destani dje e ka vizituar Presidentin e Republikës së Shqipërisë, z. Bajram Begaj, i cili rishtazi erdhi në detyrën...
22.09.2022
Nën organizimin e Dhomës së Biznesit të Diasporës dje u mbajt në Tiranë Samiti i III i Grave të Biznesit...
13.08.2022
Në Tetovë është vënë sot guri i themelit për ndërtimin e fabrikës për prodhimin e automjeteve elektrike, investim i familjes ...