2020/01/25

Lazim Destani, në Takimin e parë të Këshillit Koordinues të Diasporës Shqiptare

Në kuadër të Ditës Kombëtare të Diasporës Shqiptare, më 18 dhjetor 2019, në Tiranë u zhvillua mbledhja e parë e Këshillit Koordinues të Diasporës. Ky takim kishte për qëllim diskutimin për ecurinë e mëtejshme të punës dhe funksionimin e këtij Këshilli. Krahas anëtarëve të Këshillit, këtu morën pjesë krerët e vendit, Presidenti Ilir Meta, Kryeministri Edi Rama, Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, si dhe autoritete të tjera shtetërore.

Mbledhja u hap nga Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, i cili i falënderoi anëtarët e Këshillit për kontributin e tyre të deritanishëm. Ai në fjalën e tij theksoi se Këshilli Koordinues i Diasporës është një strukturë e re, e cila funksionon për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar dhe synon mbrojtjen dhe forcimin e marrëdhënieve me Diasporën shqiptare. “Diaspora shqiptare jep një kontribut me rëndësi në zhvillimin e vendit të origjinës në të gjitha fushat, përfshirë arsimin, kulturën dhe ekonominë”, tha ministri.

Mbledhja u drejtua nga Mark Gjonaj, përfaqësues i komunitetit shqiptar në Amerikë. Ai u ndal tek rëndësia e Diasporës shqiptare në fusha të ndryshme duke potencuar angazhimin që duhet të kenë anëtarët e këtij Këshilli në forcimin e marrëdhënieve të Diasporës me institucionet shtetërore shqiptare.

Lazim Destani, anëtar i këtij Këshilli, përfaqësues i komunitetit shqiptar në Gjermani, në fjalën e tij tha, “Jam i gëzuar që ëndrrat e shqiptarëve të Diasporës po realizohen, jemi të bashkuar e të organizuar. Përzemërsisht, i uroj suksese diasporës mbarëshqiptare, sepse qëllimi i këtij Këshilli Koordinues të Diasporës sonë është përfshirja e të gjithë shqiptarëve në botë, duke shërbyer si urë lidhëse mes Diasporës dhe institucioneve shtetërore në trojet tona”.

Me rëndësi, nga kjo mbledhje ishte miratimi i Rregullores së Këshillit dhe zgjedhja e drejtuesve të tij. Anëtarët zgjodhën si kryetar përfaqësuesin e komunitetit shqiptar në ShBA, Mark Gjonaj, nënkryetare, përfaqësuesen e komunitetit shqiptar në Francë, Anila Hyka Smorgrav si dhe sekretare, përfaqësuesen e komunitetit shqiptar në Kanada, Adriana Fishta-Bejko.

Takimin e përshëndeti Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta dhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Me paraqitjet e tyre para të pranishmëve, ata theksuan rolin e rëndësishëm të Diasporës si thesar i çmuar i Shqipërisë.

Këshilli Koordinues i Diasporës, i përbërë nga 15 anëtarë, të cilët kanë status të veçantë, është krijuar nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë me qëllim nxitjen e një bashkëpunimi më të afërt mes institucioneve shtetërore me komunitetet shqiptare kudo në botë.

Artikuj të ngjashëm
04.02.2021
Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës (AShAK) ka promovuar sot librin “Demografia e Kosovës” me autor, Akadmik Hivzi Islami....
08.01.2021
Me rastin e përfundimit të punës prej më se 30 vjetësh në Kongresin Amerikan, Lazim Destani e ka çmuar lart...
22.12.2020
Dje, më 21 dhjetor, u mbajt takimi përmbyllës për vitin 2020 i Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare me ç’rast...