2020/07/03

Lazim Destani në takim online me Shoqatën e Mjekëve Shqiptarë në Gjermani

Mjekët shqiptarë kudo në botë gjatë pandemisë treguan se ishin më pranë se kurrë me vendlindjen e tyre. Gjithmonë të gatshëm për të dhënë mendimin e tyre profesional duke shpjeguar çfarë po ndodhte, për të qetësuar ankthin e shqiptarëve në karantinë, e duke dhënë këshilla të vlefshme për jetën e gjithsecilit.

Shoqata e Mjekëve Shqiptarë në Gjermani ishte e para që u organizua për të dhënë një ndihmë konkrete, fillimisht për shqiptarët që jetojnë në Gjermani, por falë prakticitetit të komunikimit virtual, mjekët shqiptarë arritën të asistojnë çdo shqiptar që u shkruajti dhe kërkoi ndihmën e tyre.

E gjithë kjo eksperiencë e mjekëve në raport me vendlindjen u bë shkak për organizimin e një sesioni online për të mësuar më shumë se si mund të kthehen e të kontribuojnë në vendin e tyre.

Të ftuar në këtë takim virtual ishin z. Lazim Destani, biznesmen dhe anëtar i Këshillit Koordinues të Diasporës (KKD), znj. Olinga Rafat, Koordinatore Kombëtare e programit “Migracioni dhe Diaspora”, Dr. Marsela Ceno, Kryetare e Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Gjermani si dhe Dr. Altin Veshti, kirurg i cili është kthyer në Shqipëri pas një përvoje 20 vjeçare në disa vende të botës.

Znj. Olinga Rafat prezantoi programin “Migracioni dhe Diaspora”,  dhe mundësitë konkrete që  ky program ofron për profesionistët shqiptarë që dëshirojnë të kthehen në vendlindje. “Programi ofron disa mundësi për kthimin dhe riintegrimin në Shqipëri. Një profesionist mund të zgjedhë programin dy vjeçar për t’u angazhuar në vendlindje ose programin me një afat kohor më të gjatë”, tha ajo duke përmendur edhe disa nga rastet e ekspertëve të kthyer në Shqipëri të cilët kanë kontribuar në institucione të ndryshme shtetërore dhe OJQ, përfshirë këtu edhe dy raste të angazhuar pranë Ministrit të Shtetit për Diasporën. Rafat gjithashtu sqaroi se ky është një program i cili aplikohet në Shqipëri dhe Kosovë, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, etj., nëse aplikojnë në këtë program mund të kontribuojnë vetëm në këto dy shtete.

Z. Lazim Destani fillimisht i përgëzoi mjekët për punën që ata bëjnë dhe në veçanti për aktivitetet e tyre rreth Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Gjermani. “Është kënaqësi që po marr pjesë në këtë takim informativ online të organizuar nga Shoqata e Mjekëve Shqiptarë në Gjermani. Si anëtar i Këshillit Koordinues të Diasporës në vazhdimësi dhe me interesim të veçantë i ndjek aktivitetet e diasporës sonë. Unë, si dhe gjithë anëtarët e KKD-së, jemi shumë të përkushtuar që këto aktivitete të jenë në dobi të diasporës dhe vendeve tona. Prandaj edhe ky sesion informativ është i dobishëm për gjithë pjesëtarët e diasporës sonë që dëshirojnë të kthehen në vendlindje dhe me përvojën e tyre të kontribuojnë si ekspertë të fushave të ndryshme. Edhe kjo iniciativë ku po diskutohet mbi mundësitë reale të bashkëpunimit me sistemin shëndetësor në Shqipëri, Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut është për t’u përshëndetur e për t’u përkrahur. Me këtë rast falënderoj të gjithë mjekët në Diasporë dhe mjekët në vendet tona që dhanë dhe po japin kontribut shumë të madh në këtë periudhë pandemie” tha ai.

Si anëtar i Këshillit Koordinues të Diasporës, z. Destani i ftoi mjekët shqiptarë në Gjermani ta mbështetin peticionin që ka nisur KKD-ja, – që të gjithë shtetasve shqiptarë që banojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë t’u mundësohet e drejta e votës nga vendet ku ata banojnë. Ndërsa i ftoi që të bashkëpunojnë me gazetën “Diaspora Shqiptare” si të vetmin organ mediatik dedikuar plotësisht Diasporës, për të ndarë opinionet dhe historitë e tyre.

Kryetarja e shoqatës, Dr. Marsela Ceno, tha se ky takim është hapi i parë i një rruge të re. “Hapi i radhës është të hartojmë projekte konkrete bashkëpunimi. Dhënia e ndihmës është e mundur në dy forma, individuale por edhe si Shoqatë. Është me vlerë që nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë të ekzistojë dëshira për bashkëpunim. Ne na duhet një pasqyrim i hollësishëm i situatës konkrete që të vijmë të mirëinformuar, të dimë se çfarë pret dhe ku mund ta japim ndihmën tonë, aty ku vërtet duhet” tha ajo.

Dr. Altin Veshti, kirurg në Kardiokirurgji Pediatrike, pas 20 vitesh eksperiencë  jashtë vendit, prej pak kohës është kthyer në Shqipëri ku është bërë pjesë e sistemit shëndetësor. Dr. Veshti u ndal te vështirësitë me të cilat përballen mjekët që kthehen pas një përvojë në vendet perëndimore. “Problemi i parë me të cilin përballemi është mungesa e aparaturave ose ato që gjejmë nuk janë në gjendje të mirë” tha ia. Sipas tij rikthimi i mjekëve në vendlindje, por edhe i çdo profesionisti tjetër duhet të bëhet nëpërmjet institucioneve. “Ministria e Shëndetësisë duhet të bëjë një sondazh për të kuptuar se çfarë specializimesh duhen dhe nuk duhen. Në mënyrë që kushdo që do të vijë nga jashtë të jetë i qartë se çfarë mund të gjejë këtu” përfundoi ai.

Sipas të dhënave jo zyrtare mbi 3 mijë mjekë janë larguar nga Shqipëria për të ushtruar profesionin e tyre në Europë, ku rreth një mijë prej tyre numërohen në Gjermani.


Artikuj të ngjashëm
12.09.2020
Në fazën e finalizimit të punimeve për rinovimin e Klinikës Kirurgjikale “Shën Klimenti i Ohrit” (Kirurgjia e Qytetit) në Shkup,...
28.07.2020
Në fillimi i këtij muaji Gjermania e ka marrë presidencën gjashtëmujore të Bashkimit Evropian. Me këtë rast, Këshilli Koordinues i...
22.07.2020
Në ambientet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, u dorëzuan sot 5 mijë teste COVID-19, të dhuruara për Shqipërinë...