Lazim Destani, nëpërmjet një ceremonie të veçantë në kuadër të shënimit të 23 vjetorit të Universitetit të Tetovës nderohet me titullin Doctor Honoris Causa. Ky titull i jepet Lazim Destanit për kontributin e tij filantropik në fushën e arsimit, artit dhe sportit.
Në fjalën e tij gjatë pranimit të titullit, ai shprehu mirënjohje për këtë nderim që po i bëhet duke thënë se këtë titull e ndan me familjen e tij dhe me shumë njerëz të tjerë që i ka patur pranë përgjatë karrierës. Ai gjithashtu nënvizoi se ende i ka të freskëta kujtimet mbi përpjekjet dhe sakrificat që janë bërë për themelimin e Universitetit të Tetovës.
Duke iu referuar aktiviteteve të tij filantropike dhe rëndësisë së filantropisë, Lazim Destani tha:
“Për ta çuar përpara ekonominë dhe shoqërinë në përgjithësi, filantropia paraqet një fushë të rëndësishme aktivitetesh dhe meriton vëmendjen e afaristëve. Afarizmi gjithsesi mbetet gjenerator i rëndësishëm për zhvillimin e një vendi, por filantropia është poashtu një vegël kyç për adresimin e sfidave të shoqërisë dhe është shumë më shumë sesa bamirësia.
“Ndërsa Arbër Çeliku, pro-rektor dhe anëtar i komisionit recenzues gjatë leximit të vendimit tha: ” Profili i tij prej humanisti dhe atdhetari nuk mund të përmblidhet thjesht vetëm në një sekuencë të shkruar të formës gjuhësore, por arrin spektrin e hyjnores dhe të përjetshmes”.
Ngjarjen e plotë nga ceremonia e pranimit të titullit Doctor Honoris Causa
mund ta ndiqni duke klikuar videon më poshtë.