2019/06/07

Lazim Destani merr pjesë në “Mbledhjen Ndërkombëtare në Berlin”

Lazim Destani merr pjesë në këtë konferencë tre-ditëshe ku po realizon një agjendë të ngjeshur takimesh. Konferenca, që ndryshe njihet si „Lutjet e Mëngjesit“, sivjet është e 24-ta me radhë dhe organizohet nën patronazhin e Kryetarit të Parlamentit Gjerman.

Në hapjen e Konferencës të pranishëm ishin politikanë dhe deputetë të Parlamentit Gjerman, Kryetari i Parlamentit Wolfgang Schäuble si dhe shumë pjesëmarrës nga vende të ndryshme të Botës. Konferenca është e një rëndësie të veçantë pasi ajo sjell në Berlin krerë shtetesh, figura të shquara nga jeta politike si dhe personalitete nga sfera e ekonomisë dhe e biznesit. Ndër ta, këtu merr pjesë Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj si dhe deputetë e personalitete nga Shqipëria e Kosova dhe rajoni i Ballkanit në përgjithësi.

Në kuadër të punimeve të konferencës, Lazim Destani është takuar dhe ka përshëndetur Presidentin e Bundestagut Wolfgang Schäuble. Ai gjithashtu ka zhvilluar takime të shumta me temë nga ekonomia dhe biznesi me Deputetë të Parlamentit Gjerman si dhe me pjesëmarrës që vijnë nga vende të tjera të botës. Lazim Destani këtu është takuar poashtu edhe me Presidentin Ilir Meta dhe me Kryeministrin Ramush Haradinaj me të cilët krahas diskutimeve me karakter pune, kanë shkëmbyer së bashku edhe biseda miqësore.

Konferenca po i zhvillon punimet nga data 6 deri në 8 Qershor dhe ka një agjendë mjaft të ngjeshur, me programe dhe sesione të ndara sipas rajoneve të ndryshme përfshirë dhe rajonin e Ballkanit. Konferenca ka në fokusin e saj marrëdhëniet ndërnjerëzore ndërsa paqja është kryefjalë dhe synim thelbësor global.

 

Artikuj të ngjashëm
22.05.2019
Klubi i futbollit Shkëndija, të dielën më 19 Maj 2019, e ngriti trofeun për titullin e kampionit të stinorit 2018/2019....
22.05.2019
Si përkrahës dhe aktivist i zhvillimit ekonomik të rajonit të Europës Juglindore, Lazim Destani, mori pjesë në konferencën e posaçme...
14.03.2019
Lazim Destani dekorohet me çmimet “Shqiponja e Artë e Diasporës” dhe “Ambasador i Kombit”, në kuadër të Samitit të dytë...