2019/05/22

Lazim Destani merr pjesë në Forumin Ekonomik të Vienës

Si përkrahës dhe aktivist i zhvillimit ekonomik të rajonit të Europës Juglindore, Lazim Destani, mori pjesë në konferencën e posaçme të Forumit Ekonomik të Vienës, me temë: “Vienna Economic Talk – Perspektiva të reja për Republikën e Maqedonisë së Veriut”. Konferenca u mbajt më 20 maj 2019 nën organizimin e A1 Telekom Austria Group, në selinë e tyre në kryeqytetin austriak, Vienë. Këtu morën pjesë politikanë e diplomatë të lartë si dhe përfaqësues të shumë kompanive austriake dhe europiane. Në punimet e kësaj konference dedikuar zhvillimit ekonomik të Maqedonisë së Veriut, nga ky vend mori pjesë një delegacion i lartë qeveritar i kryesuar nga Kryeministri Zoran Zaev, ndërsa anëtarë të delegacionit ishin Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike Koço Angjushev, Ministri i Arsimit dhe Shkencës Arbër Ademi si dhe Ministri i Financave Dragan Tevdovski. Në këtë Forum gjithashtu morën pjesë, Presidenti i Forumit Ekonomik të Vienës Gunther Rabensteiner, Presidenti i A1 Telekom Austria Group Thomas Arnoldner, Eurokomisari Johanes Han, ambasadorë e diplomatë të shumtë, përfaqësues nga Banka Botërore si dhe përfaqësues të Rrjeteve të biznesit.

Bisedimet zyrtarisht u hapën nga Ambasadorja Dr. Elena Kirtcheva, Sekretare e Përgjithshme e Forumit Ekonomik të Vienës. Dialogu u përqendrua tek motoja e organizatës joqeveritare ndërkombëtare “Ekonomia takohet me politikën” ku u përfshinë në diskutime disa industrialistë të nivelit të lartë.

“Unë kam besuar gjithmonë se rajoni i Ballkanit është një burim i pashfrytëzuar. Ne duhet t’i sigurojmë kushte e nevojshme për ta inkurajuar rritjen dhe zhvillimin e rajonit dhe këtë e shikoj si mënyrën më të përshtatshme për t’i mbajtur aty talentët tanë më të mirë, nga çdo sektor i shoqërisë. Kjo përfshin artet, biznesin dhe teknologjinë. Ne duhet të sjellim garanca se ekzistojnë mundësitë që për rininë tonë t’i shmangim kurthet e “ikjes së trurit”-tha Lazim Destani

Ai më tej vuri në dukje, “ky forum që përqendrohet tek ‘Perspektivat e Reja për Republikën e Maqedonisë së Veriut’ është një projekt për llojin e bashkëpunimit e për diskutimet që ne duhet të kemi për t’ia arritur qëllimit. Fakti që në këtë Forum marrin pjesë së bashku, delegacioni i lartë qeveritar i udhëhequr nga Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Eurokomisari për Politikat e Fqinjësisë Europiane dhe për Zgjerim si dhe përfaqësues të kompanive me renome, demonstron rëndësinë e kësaj marrëdhënie për Europën në tërësi”.Në këto bisedime ishin të pranishëm disa sektorë të industrisë duke përfshirë gjigantët e fotografisë dhe teknologjisë Canon, prodhuesit industrial Siemens dhe manjatët e ndërtimit Bouygues. Kjo ngjarje vjen vetëm dy muaj pasi Lazim Destani mori çmime në Samitin e Diasporës Shqiptare për përpjekjet e tij filantropike në rajon. Gjatë gjithë karrierës së tij ai ka mbështetur vazhdimisht projekte të shumta në të gjithë Ballkanin dhe më gjerë, projekte nga fusha e arsimit, shkencës, kulturës dhe artit.

 

Artikuj të ngjashëm
25.01.2020
Në kuadër të Ditës Kombëtare të Diasporës Shqiptare, më 18 dhjetor 2019, në Tiranë u zhvillua mbledhja e parë e...
14.01.2020
Përurohet shtatorja e themeluesit të Universitetit dhe “Flakadani i Kujtesës”, dy vepra arti këto, dhuratë Universitetit nga filantropi Lazim Destani....
14.01.2020
Nën organizimin e Fondit Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës dhe me mbështetjen e Ministrit të Shtetit për Diasporën, më 27...