2021/02/04

Lazim Destani mbështet botimin e librit Demografia e Kosovës

Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës (AShAK) ka promovuar sot librin “Demografia e Kosovës” me autor, Akadmik Hivzi Islami. Shtypjen e kësaj vepre shkencore e financoi filantropi Lazim Destani.

Më 4 shkurt 2021, në sallën e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës në prani të Akademikëve, studiuesve dhe dashamirësve të librit u promovua libri i Akademikut Hivzi Islami “Demografia e Kosovës – Evolucioni i popullsisë, migrimet, gjeopolitikat ekspansioniste serbe dhe spastrimet etnike të shqiptarëve”.

Për vlerat që bart ky libër foli Sekretarja e Seksionit të Shkencave Shoqërore, Akademikja Justina Shiroka-Pula, recensentët e librit Akademik Isa Mustafa dhe Akademik Anton Berishaj, si dhe bashkëpunëtori shkencor i autorit të librit, prof. Arsim Ejupi. Ndërsa në emër të z. Lazim Destani këtë ceremoni promovuese e përshëndeti znj. Pranvera Kasami.

Folësit e vlerësuan lart librin duke e cilësuar si punë kolosale për zbardhjen, evidentimin, analizën, interpretimin dhe prezantimin e rezultateve në lidhje me gjendjen, trendet si dhe faktorët që kanë nxitur ndryshimet demografike në Kosovë.

Justina Shiroka-Pula tha se autori Hivzi Islami në librin “Demografia e Kosovës – Evolucioni i popullsisë, migrimet, gjeopolitikat ekspansioniste serbe dhe spastrimet etnike të shqiptarëve”, me qasje shkencore, moderne dhe profesionale ka sjellë risi në fushën e demografisë, ndërsa falënderoi filantropin Lazim Destani për financimin e librit.

Akademiku Anton Berishaj tha se autori ka bërë një punë të madhe në fushën e demografisë. “Autori i librit, Hivzi Islami, ka bërë një punë të madhe në zbardhjen, evidentimin, analizën, interpretimin dhe prezantimin e rrjedhave demografike që lidhen me gjendjen, trendet, ndryshimet, faktorët që i nxisin ato dhe perspektivën e rrjedhës së këtyre proceseve në Kosovë”, tha Berisha.

Në fjalën e tij, Akademiku Isa Mustafa tha, “E kam vlerësuar lart përmbajtjen, bazueshmërinë shkencore dhe historike, metodologjinë e përdorur dhe kronologjinë e konkludimeve të këtij botimi. Botimi ‘Demografia e Kosovës’, prezanton aspekte shumë dimensionale të studimit të popullsisë, ndërlidhur me ekonominë dhe zhvillimin duke trajtuar këtë edhe në rrafshin botërore, nga aspekti i qasjes së OKB-së por edhe nga aspekti i tranzicionit demografik në Evropë”.

Ndërsa Pranvera Kasami në fjalën e saj i përshëndeti të pranishmit në emër të z. Lazim Destani me ç’rast i solli vlerësimet e tij më të larta për këtë vepër shkencore. Ajo tha, “Më lejoni t’jua sjell të falat e përzemërta të z. Lazim Destani i cili përkundër dëshirës nuk e pati mundësinë të merrte pjesë në promovimin e këtij libri shumë të çmueshëm. Një vepër e këtillë nuk kishte si të mos çmohej lart edhe nga filantropët, dhe në këtë rast, nga z. Destani. Ne si mbështetës me padurim pritëm të dalë në dritë kjo vepër që do t’u shërbejë shumë gjeneratave, studentëve dhe studiuesve e hulumtuesve të fushave të ndryshme nga vendi dhe jashtë”.

Artikuj të ngjashëm
28.05.2020
Sipërmarrësi dhe filantropi i njohur shqiptar Lazim Destani ka uruar shefin e ri të inteligjencës amerikane John Ratcliffe për detyrën...
18.05.2020
Kompania Ecolog International e filantropit Lazim Destani ka zgjedhur t’u vijë në ndihmë duke u dhuruar kupona mijëra familjeve në...
09.05.2020
Nisma solidare e kompanisë “Ecolog International” dhe familjes së filantropit Lazim Destani, vazhdon edhe në Shqipëri. Qindra tableta do të...