2018/05/21

Konferenca “Diaspora flet”, në Prishtinë

Lazim Destani, Kryetar Nderi i Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare mori pjesë në konferencën “Diaspora Flet” e cila u mbajt në Prishtinë nën organizimin e Organizatës joqeveritare ‘Germin’. Në këtë konferencë katër-ditëshe, në kuadër të nismës për Dialogun e Strukturuar, u trajtuan tema të ndyshme që kanë të bëjnë me diasporën shqiptare, me synim nxitjen e dialogut të strukturuar për ndërtimin institucional të raporteve mes diasporës dhe trojeve të tyre të origjinës.

Në punimet e kësaj konference morën pjesë përfaqësues të shumtë nga organizata të ndryshme të diasporës shqiptare anembanë botës, ministri i diasporës nga qeveria e Kosovës, Dardan Gashi, ministri i diasporës nga qeveria e Shqipërisë, Pandeli Majko, ministri i diasporës nga qeveria e Maqedonisë, Edmond Ademi, si dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës të kryesuar nga Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

Në kuadër të kësaj ngjarje z. Destani pati takim të veçantë me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ku së bashku zhvilluan biseda e diskutime mbi mundësitë e avancimit të kontributit të diasporës në Kosovë.

Krahas pjesëmarrësve të përmendur më sipër, rëndësi të veçantë kësaj konference i dha pjesëmarrja e Kingsley Aikins, themelues dhe drejtor ekzekutiv i ‘Diaspora Matters, i njohur në nivel botëror për rolin e tij në formulimin dhe aplikimin e praktikave më të mira rreth kontributit të diasporës për zhvillimin e vendit të origjinës.

Në seancën që i zhvilloi punimet në Kuvendin e Kosovës, deputetët dhe pjesëmarrësit e tjerë shfaqën pikëpamjet e tyre për çështje të ndryshme që kanë të bëjnë me diasporën. Me këtë rast Lazim Destani para të pranishmëve mbajti fjalim ku nënvizoi rolin e diasporës shqiptare për zhvillimin e trojeve tona.

Në vijim, fjalimi i plotë i z. Lazim Destani në këtë konferencë:

“Duke Ju falënderuar për ftesën për të marrë pjesë në Konferencën ‘Diaspora Flet’, kam nderin që shkurtimisht t’ju drejtohem me disa fjalë.

Në përgjithësi, diaspora e çdo vendi ka luajtur rol të veçantë për zhvillimin e vendit të origjinës.

Në rastin tonë, diaspora shqiptare në të kaluarën, në momente të caktuara historike, ka qenë zëri më i fuqishëm për çështjen tonë kombëtare, ndërsa sot ajo mund të luajë rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik dhe përparimin e trojeve tona.

Emërtimi i kësaj Konference, ‘Dispora Flet’, vetvetiu flet shumë… unë këtë emërtim e kuptoj si një formë veprimi dhe të rëndësishëm nga shumë aspekte.

Andaj, edhe vet si pjesëtar i diasporës sonë, them se diaspora ka ‘folur’ sa herë që kombi ynë ka patur nevojë dhe vazhdon të flasë përditë e më shumë.

Unë si afarist, që tashmë mbi 35 vite veproj në diasporë, si shumë bashkëkombës të tjerë, i kam përjetuar zhvillimet tona gjithandej.

Sot diaspora jonë me arritjet e veta paraqet faktor të rëndësishëm kombëtar, dhe me këtë ne të gjithë jemi krenar.

Jo vetëm që u mësuam të bëhemi afaristë duke i bërë ballë konkurrencës së egër kapitaliste por nga kjo diasporë dolën shumë profile nga bota e shkencës, kulturës, artit e sportit. Përmes këtyre sot na njeh bota!

Kapitali më i fuqishëm social për kombin tonë sot është diaspora.

Ne, në rafsh kombëtar, nuk kemi ndonjë produkt tjetër eksporti që të realizojë të ardhura devizore për shtetet tona më shumë se diaspora.

Madje sot ne nuk eksportojmë vetëm fuqi punëtore por edhe kapacitet intelektual si dhe krijimtari shpirtërore.

Mjafton të shikohen bilancet tregtare të shteteve tona për të kuptuar se nga financohet gjithë ai hendek midis importeve dhe eksporteve.

Si afaristë nga diaspora, ne vazhdimisht po flasim dhe shpresojmë që qeveritë tona ta degjojnë këtë zë, dhe jo për përfitimet tona personale por për impaktin ekonomik që mund ta japim.

Le t’i bëjmë trojet tona ashtu siç e shohim Perëndimin, ku edhe ne vetë, kemi dhënë mund e djersë.

Të kaluarën ne nuk e ndryshojmë dot, por le të veprojmë për ta ndryshuar këtë që është në duart tona, të sotmen.

Nga të gjitha trojet tona po largohen shumë të rinj, të shkolluar apo mjeshtër të zanateve të ndryshme. Ata po largohen në kërkim të një pune, ndërsa ne, diaspora shqiptare, rrugën e largimit të tyre mund ta ndalim duke krijuar vende pune për ta, këtu në trojet tona.

Investimet në trojet tona duhet t’i shikojmë edhe nga prizmi i filantropisë. Afarizmi gjithsesi mbetet gjenerator i rëndësishëm për zhvillimin e një vendi ndërsa filantropia është vegël kyç për adresimin e sfidave të një shoqërie dhe është shumë më shumë se sa bamirësia.

Duke qenë edhe në strukturat e Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare, me mbi 2000 kompani me potencial të lartë nga më se 20 shtete, ne po përpiqemi ta vëmë këtë në shërbim të trojeve tona sa më mirë.

Dhe për ta përfunduar, me rastin e punimeve të kësaj Konference, në emër të këtij Rrjeti, ju percjell përshëndetjet dhe urimet më të mira për punë të mbarë dhe suksese. “

Artikuj të ngjashëm
07.06.2019
Lazim Destani merr pjesë në këtë konferencë tre-ditëshe ku po realizon një agjendë të ngjeshur takimesh. Konferenca, që ndryshe njihet...
22.05.2019
Klubi i futbollit Shkëndija, të dielën më 19 Maj 2019, e ngriti trofeun për titullin e kampionit të stinorit 2018/2019....
22.05.2019
Si përkrahës dhe aktivist i zhvillimit ekonomik të rajonit të Europës Juglindore, Lazim Destani, mori pjesë në konferencën e posaçme...