2020/07/28

KKD i kërkon Kancelares Merkel liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës

Në fillimi i këtij muaji Gjermania e ka marrë presidencën gjashtëmujore të Bashkimit Evropian. Me këtë rast, Këshilli Koordinues i Diasporës (KKD) i ka dërguar  Kancelares  gjermane Angela Merkel urimet më të mira si dhe kërkon angazhimin e saj për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës.

“Shtetasit e Republikës së Kosovës janë të vetmit në Evropë që nuk mund të udhëtojnë në Zonën Schengen pa viza, edhe pse Institucionet shtetërore të këtij vendi i kanë plotësuar detyrat e caktuara nga Bashkimi Evropian për këtë qëllim. Për më tepër, Komisioni Evropian e ka dhënë pëlqimin për liberalizimin e vizave.

Ky kufizim i lëvizjes nuk prek vetëm shtetasit e Republikës së Kosovës por edhe anëtarët e familjeve të tyre që janë nënshtetas të vendeve ku aplikohet sistemi i vizave Schengen. Vetëm në shtetet ku flitet gjuha gjermane (Gjermani, Austri, Zvicër) jetojnë më shumë se 700,000 shqiptarë nga Kosova. Pamundësia e vizitave të rregullta për familjet e tyre nga Kosova ndikon në të drejtën e tyre themelore për jetë familjare, e drejtë që mbrohet nga Konventa Evropriane për të Drejtat e Njeriut” shkruhet ndër të tjera në lerën e firmosur nga 15 anëtarët e Këshillit Koordinues të Diasporës:

Letra e plotë drejtuar Kancelares Merkel:

KËSHILLI KOORDINUES I DIASPORËS                                       Korrik 2020

Bundeskanzlerin Dr. Angela Merkel
Bundeskanzleramt
Willy-Brandt-Straße 1
10557 Berlin

E nderuar Zonja Kancelare Dr. Angela Merkel,

Ju shkruajmë si Këshill Koordinues i Diasporës, Institucion shtetëror që përfaqëson interesat e diasporës shqiptare me banim në vende të ndryshme të botës.

Sfidat me të cilat përballet Bashkimi Evropian, posaçërisht në këtë periudhë pandemie, janë të mëdha dhe ne jemi të bindur se nën udhëheqjen Tuaj do të jemi në gjendje t’i kalojmë ato me sukses.

Zonja Kancelare, përmes kësaj letre dëshirojmë gjithashtu angazhimin Tuaj për liberalizimin e vizave për shtetasit e Republikës së Kosovës.

Shtetasit e Republikës së Kosovës janë të vetmit në Evropë që nuk mund të udhëtojnë në Zonën Schengen pa viza, edhe pse Institucionet shtetërore të këtij vendi i kanë plotësuar detyrat e caktuara nga Bashkimi Evropian për këtë qëllim. Për më tepër, Komisioni Evropian e ka dhënë pëlqimin për liberalizimin e vizave.

Ky kufizim i lëvizjes nuk prek vetëm shtetasit e Republikës së Kosovës por edhe anëtarët e familjeve të tyre që janë nënshtetas të vendeve ku aplikohet sistemi i vizave Schengen. Vetëm në shtetet ku flitet gjuha gjermane (Gjermani, Austri, Zvicër) jetojnë më shumë se 700,000 shqiptarë nga Kosova. Pamundësia e vizitave të rregullta për familjet e tyre nga Kosova ndikon në të drejtën e tyre themelore për jetë familjare, e drejtë që mbrohet nga Konventa Evropriane për të Drejtat e Njeriut.

Ne shprehim besimin që liberalizimi i vizave do të ndikojë pozitivisht jo vetëm në respektimin e të drejtave themelore të njeriut por edhe në ekonomi, kulturë si dhe në procesin e negociatave me Serbinë, proces në të cilin Bashkimi Evropian ka një rol të pazëvendësueshëm.

Jemi shumë mirënjohës që Ju personalisht dhe Gjermania, po e mbështesni prej kohësh liberalizimin e vizave për shtetasit e Republikës së Kosovës dhe shpresojmë që gjatë Presidencës Gjermane të Këshillit të Bashkimit Evropian, kjo gjë të bëhet realitet.

Duke ju uruar mbarësi dhe suksese të mëtejshme, mbetemi në pritje të përgjigjes Suaj pozitive.

Ju lutemi Zonja Kancelare, pranoni përshëndetjet tona të sinqerta dhe konsideratën më të lartë.

Anëtarët e Këshillit Koordinues të Diasporës:

  1. Dr.h.c. Lazim Destani……………. Gjermani
  2. Prof. Dr. Sokrat Sinaj…………….. Zvicër
  3. Anila Hyka Smorgrav……………. Francë
  4. Ardian Lekaj………………………… Holandë
  5. Rosario Petta………………………… Itali
  6. Dr. Gazmend Kapllani…………… Greqi
  7. Brikena Muharremi……………….. Britani e Madhe
  8. Endri Hatillari………………………. Britani e Madhe
  9. Dr. Adriana Fishta-Bejko………. Kanada
  10. Ardian Radovicka…………………. Kanada
  11. Mark Gjonaj…………………………. SHBA
  12. Visar Tasimi…………………………. SHBA
  13. Esmeralda Mosko………………….. SHBA
  14. Bashkim Bekiri……………………… Australi
  15. Namik Shabi…………………………. Turqi

Adresa postale: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, Nr. 1.1000, Tiranë, Shqipëri

Email: info@keshillikoordinuesidiaspores.com

http://keshilli.koordinues.diaspora.gov.al/
Artikuj të ngjashëm
12.09.2020
Në fazën e finalizimit të punimeve për rinovimin e Klinikës Kirurgjikale “Shën Klimenti i Ohrit” (Kirurgjia e Qytetit) në Shkup,...
22.07.2020
Në ambientet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, u dorëzuan sot 5 mijë teste COVID-19, të dhuruara për Shqipërinë...
22.07.2020
President nderi i Dhomës së Biznesit të Diasporës dhe kompanisë “Ecolog”, Lazim Destanit, Nazim Viqa nga “ABBRUCH AWR” si dhe...