2015/05/27

Intervistë në gazetën Zëri: Diaspora shqiptare, investimet e huaja dhe stabiliteti politik

Unë kam besim dhe të ardhmen e shikoj me optimizëm.

Afaristi i mirënjohur i përmasave globale z. Lazim Destani, në cilësinë – Kryetar Nderi i Unionit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare, flet për formësimin e idesë së rrjetëzimit dhe efektet shumëdimensionale që mund të prodhojë një strukturë e këtillë. Ky Union i organizuar mirë, sipas modelit ‘të gjithë fitojnë’, sjell përfitime si për bizneset e kompanive që vijnë nga diaspora ashtu dhe për kompanitë e këtushme në trojet shqiptare e të rajonit. Sjell fitime sigurisht dhe rrit mirëqenien e komunitetit në rajon dhe sidomos është i dobishëm për shoqërinë kosovare.

Zëri: A ka iniciativa konkrete nga diaspora shqiptare për investime në Kosovë?

Destani: Ky është takimi i dytë i Unionit që nga themelimi i tij para një viti në Prishtinë. Fillimisht duhet nënvizuar dhe përshëndetur përkrahja nga Institucionet e Republikës së Kosovës, posaçërisht Ministrisë së Diasporës, Drejtorisë për Diasporë si dhe mbështetja nga bashkësia ndërkombëtare përmes UNDP, IOM si dhe shteteve si Norvegjia e Zvicra që e përkrahën këtë asociacion në krijim.
Sot jemi 18 degë të strukturuara nëpër shtetet më të zhvilluara në Botë, të anëtarësuara së bashku mijëra kompani shqiptare nga këto shtete. Si shembull, vetëm Nju Jorku si degë më vete ka arritur të anëtarësojë mbi 170 kompani vetëm për një vit, Gjermania mbi 200, e kështu me radhë. Tash në takimin tonë vjetor të gjithë ata raportuan për progresin e bërë si në formësimin e tyre përfundimtar poashtu edhe për iniciativat, lidhjet dhe realizimet e deritashme. Sadoqë jemi akoma në fillim, tashmë janë shënuar shumë arritje konkrete në relacionet biznesore mes kompanive nga diaspora dhe atyre vendore, sidomos nga Kosova. Bota e zhvilluar ekonomike funksionon me rrjetëzime biznesore. Thjesht ne duhet ta ndjekim këtë model duke i përfshirë specifikat tona në Ballkan. Shumë kompani raportuan për qarkullime milionëshe me kompani kosovare dhe për projekte në fazë fillestare të investimeve konkrete.

Zëri: A i keni identifikuar sektorët ku mund të investohet në Kosovë?

Destani: Nga Ministritë ‘ekonomike’ (e Industrisë dhe Tregtisë, e Zhvillimit Ekonomik, e Financave dhe e Diasporës) dhe nga bashkësitë e komunave kërkuam të krijohet një grup ndërministror apo ndërinstitucional ekspertësh. Ky grup do ta bëjë përmbledhjen e potencialeve dhe projekteve me disa përshkrime dhe atribute fillestare në sektorët përkatës – industrinë përpunuese dhe ushqimore, bujqësinë primare dhe përpunuese, në sektorin e shërbimeve, në energjetikë, në infrastrukturë, etj. që do ta kemi si pikënisje për të identifikuar veten dhe partnerët me të cilët punojmë gjithandej. Njëkohësisht, të bëhet një përmbledhje edhe për ambientin e biznesit në Kosovë, ku të pasqyrohen politikat ekonomike dhe stimulimet që mund tu jepen këtyre investimeve. Këtë kërkesë e bëmë edhe te Institucionet e Republikës së Shqipërisë dhe shpresojmë së shpejti edhe në Maqedoni do të përpilojmë një projekt të këtillë. Këta materiale do t’i postojmë ne web faqen e Rrjetit.
Më pas, të gjithë investitorët së bashku me partnerët e tyre gjithandej, do ta kenë mundësinë të përzgjedhin për cilët projekte dhe në cilët sektor janë më konkurrues (biznes primar dhe sekundar). Kjo bazë e të dhënave do të përditësohet vazhdimisht edhe me propozimet dhe sugjerimet e të gjithë anëtarëve të Rrjetit. Bashkëpunimi ndërinstitucional, posaçërisht në nivele të ndryshme të institucioneve (si qendrore ashtu dhe lokale) është shumë i rëndësishëm, sepse mos-koordinimi vertikal na sjell pengesa dhe vonesa marramendëse në realizimin e investimeve. Ne si Ecolog, por besoj edhe shumë të tjerë, po ballafaqohemi me një situatë të tillë.

 

Zëri: A vazhdon të jetë edhe më tutje atraktive Kosova për investitorët e huaj?

Destani: Sigurisht që po, edhe përkundër shumë zhgënjimeve dhe eksperiencave jo fort të mira në këtë aspekt. Kosova ka sistem ligjesh ekonomik liberal, kuptohet që është shumë e rëndësishme të ngritet implementimi i drejtë i tyre. Gjyqësia mbetet mbi të gjitha. Kur të gjithë subjektet do të ballafaqohen me efikasitet me drejtësinë, atëherë secili, qoftë shteti, komuna, agjencioni, ndërmarrja, individi, etj., do të ketë kujdes se si do të sillet. Problemi është se, kur kjo nuk funksionon mirë, kemi zvarritje në të gjitha institucionet tjera pastaj. Gëzon fakti që vullneti dhe përkushtimi i nivelit më të lartë dukshëm ekziston, këtë e vërtetoi prezenca e kryeministrit me pothuaj gjysmën e qeverisë gjatë gjithë kohës së bashku me ne në Konferencë, këtu në Prishtinë.

Zëri: Kompanitë e huaja, kryesisht kanë investuar në sektorin bankar dhe në patundshmëri. Pse nuk po investohet në prodhim dhe ku qëndron problemi sipas jush?

Destani: Pyetje shumë me vend. Ne si Rrjet i Unionit nuk kemi bërë akoma një analizë të tillë. Mendoj se duhet të kemi një ekspertizë edhe nga ana jonë si partner me Institucionet në këto troje. Po marr si shembull një investim në prodhim që ka bërë grupacioni ynë, fabrikën e xhinseve Kosovatex në Prishtinë. Kjo fabrikë po punon tash e 5 vite, këtu ka mbi 300 të punësuar dhe 95% e prodhimit eksportohet në Gjermani. Ka shumë nevojë edhe për eksporte të tjera. Por besoni prodhimi është biznes shumë i rëndë dhe kompleks, ka shumë parakushte. Dy-tre vitet e para kemi patur problem me gjetjen e punëtorëve të kualifikuar ndërsa akoma kemi probleme me produktivitetin. Nuk është lehtë të kthehet kultura dhe tradita industriale në një Kosovë të deindustrializuar tash e 30 vite. Pastaj shkollat profesionale pothuaj u mbyllën, të gjithë duan të bëhen magjistra me diploma por të paktë janë ata që dinë të punojnë. Ta them më popullorçe, dy janë parakushtet – të duash dhe të dish të punosh me sukses. Është pak e vështirë ti gjesh të dyja këto te një person, pastaj sikur të gjithë duan të punojnë nëpër zyra! Por besoj se kjo gjendje domosdo do të ndryshojë dhe këtu duhet institucionet ta bëjnë punën e tyre. Është për të ardhur keq kur menaxhmenti ynë na tregon se ka probleme me gjetjen e punëtorëve që duan dhe dinë të punojnë. Nuk janë të paktë ata që duan të pasurohen brenda nate, të gjithë ne nga diaspora e dimë mirë se nëpër çfarë peripecish kemi kaluar këto 30-40 vite gjithandej nëpër botë.

Zëri: Cilat janë pengesat institucionale ndaj investitorëve të huaj?

Destani: Më lart e theksova nevojën e funksionimit efikas të institucioneve shtetërore të cilat mbase edhe pa vetëdije dhe krejt pa qëllim bëhen faktorë refuzues për investitorët për shkak të pengesave burokratike si rrjedhojë e mos-harmonizimit dhe mos-koordinimit të plotë institucional. Shumë përmendet korrupcioni por dorën në zemer ne tash e 10 vite jemi në Kosovë dhe s’kemi patur as edhe një rast të vetëm të tillë. Ndoshta vonesat nëpër institucione mund të jenë edhe nga këto pritje por s’mund të marrim në qafë askënd. Kemi lëndë që presin me vite nëpër labirinte institucionale, përfshirë edhe gjykatat. Në thelb, nuk mund t’i sjellësh investitorët vetëm duke i ulur tatimet, sidomos kur ato ndërrohen shpesh. Më mirë tatime pak më të larta, por sistem efikas të administrimit institucional, në kuptimin e procesimit të shpejtë të lëndëve. Kjo që po them është edhe reflektim i investorëve të huaj me të cilët bashkëpunojmë në vende tjera.

Zëri: Kohëve të fundit disa biznese kosovare kanë ikur në Maqedoni, ku qëndron problemi sipas jush?
Destani: Mendoj se janë raste shumë të rralla dhe nëse do kishte ndonjë përparësi Maqedonia, do të thoja për momentin janë vetëm Zonat e Lira Ekonomike, por që nga ministrja e Tregtisë dhe Turizmit dëgjuam që së shpejti edhe në Kosovë do të krijohen zona të ngjajshme. Grupacioni ynë i biznesit vepron me kompani edhe në Maqedoni dhe mund të them që dallimi pozitiv këtu është fare i vogël.

Zëri: Deri më tash është folur për zëvendësimin e prodhimeve të huaja me ato vendore, si mund të ndodh kjo?

Destani: Kosova importon gjithçka dhe prej gjithkah. Në konferencë i biseduam edhe këto aspekte, njëri nga ekspertët tha të shikojmë bilancin tregtar dhe raportet nga doganat e Kosovës dhe do të vijmë më lehtë në përfundim se për çfarë produktesh që blihen jasht ka nevojë Kosova. Çmimet janë faktori kryesor por të mos e harojmë anën e cilësisë së prodhimeve. Këtu në pikat doganore mungojnë institucionet e kontrollit të cilësisë, me çka do të mbrohej tregu dhe prodhimet kosovare.
Mendoj se bujqësia, industria përpunuese ushqimore dhe industria e lehtë (veshmbathjet, nevojat bazike të amvisërisë) duhet të jenë pikënisja. Ka shumë potencial edhe për eksport. Mjaft eksportuam njerëz dhe fuqi punëtore për t’i sjellë paratë dhe t’i shpenzojmë për prodhime të importuara (bile nga disa fqinjë që fare nuk mund të dallohen me aftësi për të krijuar cilësi).

Zëri: Ju si biznesmen ushtroni aktivitet në Kosovë por edhe nëpër vende tjera. Ku funksionon më mirë?

Destani: Krahasuar me Kosovën të shumta janë vendet ku funksionon më mirë, sidomos në Evropë e Amerikë por kohëve të fundit edhe në Azi. Normalisht nuk do të kisha dashur të bëj krahasim me Afrikën ku ne operojmë intenzivisht tash 2-3 vitet e fundit. Sigurisht që Gjermania është një vend kampion por shumë e shtrenjtë me taksa, megjithëkëtë ia vlen të bësh biznes atje sepse siguria ligjore, efikasiteti dhe preciziteti i funksionimit të institucioneve është një vlerë e shtuar që e mund çdo kosto tjetër. Këtë kërkojnë invetitorët kudo pra edhe këtu në Kososvë.

 

Zëri: Si po trajtoheni nga institucionet kosovare?

Destani: E përmenda më lart, unë si pronar gëzoj trajtim të shkëlqyer, në të gjitha nivelet kudo që jemi takuar. Por më duhet të them se zotimet e tyre dhe premtimet që marrim nga nivelet më të larta institucionale shpeshherë nuk procesohen deri në fund me dinamikën e duhur. Pra haset në zvarritje të procedurave apo pengesa të pashpjegueshme sidoqoftë, nuk na takon ne ta përcaktojmë fajtorin. Unë kam besim dhe të ardhmen e shikoj me optimizëm, është inkurajues fakti që sivjet në raportin e Bankës Botërore për lehtësira në bërje biznesi, Kosova u radhit në pozitë më të mirë duke u ngjitur për 6 vende më lart.

Zëri: A keni plane për zhvillimin e biznesit në Kosovë, nëse po, në çfarë fushe shihni perspektivë?

Destani: Megjithë se bizneset e grupacionit të familjes sime zhvillohen kryesisht në tregjet ndërkombëtare, unë me një pjesë të stafit tim u kushtojmë vëmendje të veçantë potencialeve për investime në trojet tona shqiptare por edhe më gjerë në Ballkan. Sigurisht se kemi shumë plane, duke filluar nga prodhimi i veshmbathjeve e deri te ushqimi bio apo organik. Për këtë madje kemi nevojë në tregjet tona në Lindjen e Mesme dhe në Afrikë, ku bëjmë shërbime keteringu dhe furnizime me ushqime për sektorin komercial dhe atë qeveritar. Aktualisht jemi në fazën e pritjes për zgjidhjen e ‘nyjës institucionale’ për zhvillimin e projektit ‘Qyteti i Gjelbër’ në një hapësirë prej 11 hektarësh te Kosovatex në Prishtinë. Ky është një projekt me të gjitha infrastrukturat bazike, ambulanca, shkolla fillore, çerdhe fëmijësh, qendër rekreative, qendër tregtare, hotel dhe apartamente banimi, pra një projekt me kosto shumë-milionëshe. Po presim nga institucionet, ato lokale deri te qendrore.

Zëri: Si e shihni gjendjen politike në Maqedoni?

Destani: Nga natyra jam optimist, por fatkeqësisht situata aktuale në Maqedoni është në drejtim të përkeqësimit dhe kjo ndodh pikërishit në fazën kur pritej më shumë përqëndrim në përmbushjen e kërkesave dhe standardeve për antarësim në Bashkimin Europjan dhe NATO. Ndërkaq me zhvillimet e fundit dhe mënyrën se si po përgjigjen institucionet është krijuar një paqartësi që ka potencialin ta destabilizojë vendin. Nuk do të doja t’i kthehemi fjalës se në Ballkan gjërat duhet të bëhen keq që pastaj të nis ringritja nga e para, por nëse nuk ndërgjegjësohet lidershipi aktual dhe të reagojë edhe sipas udhëzimeve të komunitetit ndërkombëtar, shtohet rreziku që një gjë e tillë t’i ndodhë Maqedonisë. Unë kam shpresë se do të mbizotërojë arsyeja, sepse është diçka që e kërkojnë qytetarët, pra populli, respektivisht sovrani dhe subjektet politike duhet të jenë të ndërgjegjshme për këtë.
Për t’iu qasur nga aspekti ekonomik, investimet dhe bërja biznes kërkojnë paqe dhe stabilitet politik dhe ekonomik. Situatat konfliktuoze, mungesa e sigurisë, padyshim që i mbajnë larg investitorët dhe e pengojnë biznesin. Dëshiroj të kthehet rendi e qetësia sa më shpejt dhe gjithçka të funksionojë normalisht.

Zëri: Çka duhet të bëjë Kosova dhe Shqipëria në këtë situatë?

Destani: Nuk jam shumë kompetent për të bërë sugjerime se ç’duhet të bëjnë këta dy vende me politika të jashtme të konsoliduara por është më se e qartë që Maqedonia është zhytur në krizë të thellë politike dhe ekonomike. Shqipëria dhe Kosova gjithsesi mund ta japin ndihmën e tyre ashtu siç po bën dhe komuniteti ndërkombëtar dhe në veçanti BE dhe SHBA. Maqedonia ka nevojë për vëmendje të shtuar ndaj zhvillimeve këtu dhe ngado që të vijë është i mirëseardhur kontributi për zgjidhjen e krizës në pajtim me përcaktimet për paqe dhe stabilitet në rajon si dhe me qëllimet për realizimin dhe përshpejtimin e procesit të integrimeve.

Artikuj të ngjashëm
19.02.2018
Si e gjen Kosovën 10 vjetori i Pavarësisë? Projekti i pavarësisë së Kosovës është arritja më e madhe e popullit...