Me rastin e festës së Pavarësisë së Kosovës Lazim Destani e vizitoi Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës, e hapur rishtazi në Landin, North Rhine-Westphalia (NRW). Gjatë kësaj vizite, z. Destani e njohu Konsullin Arjan Kashtanjeva me funksionimin e Këshillit Koordinues të Diasporës, të krijuar nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë, si dhe me rolin e tij si anëtar i këtij Këshilli ku i përfaqëson interesat e diasporës shqiptare në Gjermani.
Lazim Destani e përgëzoi Konsullin Kashtanjeva për hapjen e kësaj Konsullate të Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Gjermani si dhe ia shprehu stafit të Konsullatës urimet e tij të përzemërta për 12 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
Gjatë takimit ata biseduan e shkëmbyen mendime rreth bashkëpunimit mes vete për ta mbështetur diasporën shqiptare në Gjermani në mbrojtje të interesave të tyre. Me këtë rast z. Destani tha, “Kjo përfaqësi konsullare diplomatike do të sjellë lehtësira për diasporën tonë këtu duke u ofruar atyre shërbime më të mira e më efikase. Për t’i shërbyer sa më mirë diasporës, Konsullata e Përgjithshme e Kosovës në Dyzeldorf gjithmonë do ta ketë përkrahjen time.” Më tej ai shtoi se, Landi NRW është me industri dhe ekonomi shumë të zhvilluar dhe si i tillë ofron mundësi bashkëpunimi ekonomik e tregtar Gjermani-Kosovë si dhe paraqet mundësi të mira për nxitjen e sipërmarrësve të ndryshëm për të investuar në Kosovë.
Konsulli Kashtanjeva u shpreh shumë falënderues për vizitën që i bëri z. Destani si dhe e çmoi lart gatishmërinë e tij për bashkëpunim në të gjitha drejtimet në mbështetje të diasporës shqiptare në Gjermani.