2018/07/10

Flamuri amerikan valëvitet në Capitoll Hill për nder të Lazim Destanit

Një ditë pas festës së Pavarësisë, Eliot Engel në Nju Jork i dhuron Lazim Destanit flamurin amerikan i cili, për të nderuar biznesmenin dhe filantropin shqiptar, u valëvit mbi Kongresin Amerikan në 4 Korrik, Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Ky flamur u valëvit për t’ju nderuar juve në 4 Korrik, miku im”, i tha kongresisti Engel Lazim Destanit duke ia dorëzuar në mënyrë ceremoniale flamurin amerikan. Ai vijoi më tej me leximin e përmbajtjes së dokumentit zyrtar që shoqëron flamurin e palosur në mënyrë ceremoniale në fund të ditës së valëvitjes, nga oficerë të Ushtrisë Amerikane.

“Ky është një çmim dhe vlerësim që na nderon të gjithë ne shqiptarëve. Për mua personalisht ky është një nga nderet më të mëdha që kam përjetuar deri më tani. Është i këtillë sepse e pranoj nga shteti Amerikan, nga shteti i cili historikisht na ka mbështetur dhe me të cilin kemi lidhje të forta miqësore”, tha në fjalën e tij biznesmeni dhe filantropi Lazim Destani.

Është traditë e bukur amerikane që flamujt të cilët valëviten mbi ndërtesën e Kongresit (Capitol Hill – Kodra e Kapitolit), të përdoren vetëm një herë dhe të ruhen më pas si simbole të vyera amerikane për t’ua dhuruar miqve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, apo figurave të shquara të fushave të ndryshme. Shpesh herë paraprakisht është e ditur se për kë valëviten këta flamuj në festën e 4 Korrikut të vitit respektiv.

Kongresisti Eliot Engel duke e falënderuar Lazim Destanin për miqësinë e tij, vazhdoi duke thënë:

“Unë jam shumë krenar për miqësinë mes popullit shqiptar dhe popullit amerikan. Kemi një diasporë të mrekullueshme shqiptare, e përqendruar sidomos në Nju Jork, por e shtrirë kudo, në Detroit, Çikago e Boston, të cilën unë kam patur rastin ta vizitoj”.

Edhe Lazim Destani foli po në këtë frymë: “Unë e çmoj lart këtë miqësi mes dy popujve tanë dhe do vazhdojmë ta forcojmë gjithnjë e më shumë duke mbetur përgjithmonë miq të ngushtë mes vete dhe partnerë besnik te idealeve të përbashkëta”.

Filantropi Destani gjithashtu e falënderoi kongresistin Engel, jo vetëm për nderimin që i bëri kongresisti duke i dhuruar flamurin amerikan por edhe për angazhimin dhe kontributin e paçmueshëm prej dekadash të Eliot Engel për zgjidhjen e çështjes shqiptare si dhe për demokratizimin e rajonit të Ballkanit në përgjithësi. Ai e quajti kongresistin Engel një ndër figurat më emblematike dhe historike për shqiptarët si dhe për botën demokratike të rajonit.

Artikuj të ngjashëm
12.11.2019
I ftuar nga organizatori i Kongresit, Unioni i Bizneseve Shqiptaro-Gjermane në Gjermani, Lazim Destani mori pjesë në Kongresin e II-të...
28.10.2019
Lazim Destani i priti Anëtarët e Këshillit Koordinues të Diasporës, njësi e Ministrisë së Diasporës e R. Shqipërisë, në takimin...
28.10.2019
Kryetari i Bordit Këshillëdhënës të Ecolog-ut, z. Lazim Destani, në zyrat e kompanisë në Tetovë e priti për vizitë Ambasadoren...