2022/07/14

Dhoma e Biznesit të Diasporës nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin Polis

May be an image of 9 people, people sitting and people standing

Sot në Tiranë, në hapësirat e Universitetit Polis u mbajt Tryeza e Opinioneve me Dhomën e Biznesit të Diasporës Shqiptare. Në kuadër të këtij aktiviteti u nënshkrua Marrëveshje Bashkëpunimi mes Dhomës së Biznesit të Diasporës dhe Universitetit Polis. Krahas drejtuesve të këtyre dy subjekteve, të pranishëm ishin profesorë e studentë, përfaqësues të institucioneve shtetërore e financiare, si dhe drejtues të organizatave ndërkombëtare.

Kjo Tryezë solli opinione e diskutime mbi tema të ndryshme lidhur me vështirësitë dhe problemet që hasen në tregun e punës sot në Shqipëri si mungesa e punonjësve të kualifikuar, çertifikimi, humbja e stafit, largimi i profesionistëve, etj. Ndaj dhe qëllimi i këtij takimi ishte vendosja e urave  të bashkëpunimit midis biznesit dhe arsimit për të krijuar një ambient pune të përshtatshëm i cili të ketë mundësi të ndalojë Brain Drain me të cilin po përballet vendi sot.

E pranishme në këtë ngjarje, Zv.Minsitrja  për Evropën dhe Punët e Jashtme Artemis Malo tha se qasja e saj ndaj kësaj problematike nuk është vetëm politike. “Sot nuk jam vetëm si politikane këtu por edhe si pedagoge. Duke i parë problemet nga një këndvështrim tjetër dua t’ju përgëzoi për iniciativa të tilla por sidomos për feed back-un që marrim çdo vit nga ky universitet”, tha ajo.

Duke vlerësuar punën e deritanishme të Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare, znj. Malo shtoi se e vlerëson shumë faktin që në krye të Dhomës së Biznesit është sipërmarrësi Lazim Destani. “Jam mirënjohëse që sot kemi një strukturë dinjitoze dhe me integritet me të cilën mund të bashkëpunojmë të sigurt”, përfundoi Malo.

Presidenti i Nderit i Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare, Lazim Destani, në fjalën e tij theksoi se Diaspora paraqet kapitalin më të rëndësishëm njerëzor e financiar për zhvillimin e vendeve tona. “Duke qenë kaq e çmueshme kjo pjesë e kombit tonë, mendoj se të gjithë faktorët relevant duhet të bëjnë përpjekje të pandalshme për ta organizuar këtë potencial madhor e për ta bërë atë sa më efektiv për zhvillimin e rajonit tonë. Potenciali financiar apo në përgjithësi të mirat që vijnë nga Diaspora gjithmonë kanë qenë shumë të nevojshme, madje jetike, për familjet shqiptare gjithandej trojeve tona. Për dallim nga e kaluara sot ky potencial është më i fuqishëm se kurrë më parë, andaj, ky kapital duhet të motivohet, të stimulohet, të zhvillohet e të kanalizohet nga institucionet e vendit pasi vendet tona e kanë më se të nevojshëm. Këtu nuk e kam fjalën vetëm për institucionet publike dhe qeveritare por edhe për sektorin mësimor akademik, në mënyrë që të formohet ai trekëndëshi sinergjik midis sektorit të biznesit, sektorit të arsimit dhe atij të qeverisë e të shoqërisë civile”, tha Destani.

Ndërsa kryetari i Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare, Ardian Lekaj, tha se remitancat, në kushtet e zhvillimeve aktuale ekonomike, duhet të konsiderohen dhe trajtohen si një kategori dhe burim thelbësor për ekonominë e vendit.

Në këto kushte, specifikisht për rastin e Shqipërisë, Dhoma e Biznesit të Diasporës vjen me disa këshilla konkrete, si më poshtë;

1.Krijimi i një iniciative të strukturuar ndërkombëtare për përmirësimin e të dhënave për Remitancat.
2.Avantazhe fiskale, për ofruesit e shërbimeve të remitancave, në shërbim të uljes së tarifave të paguara nga dërguesit dhe pritësit.
3.Krijimi i “Instrumentit Financiar të Diasporës”, si një mjet për të rritur konkurrencën në treg në industrinë e Remitancave.
4.Përdorimi i teknologjisë digjitale dhe avancimi në mënyrë adekuate dhe të përshtatshme, duke u bazuar në vlerësimin e rriskut.
5.Kanalizimi dhe transmetimi i tyre në investime që garantojnë zhvillimin social – ekonomik dhe decentralizim të zhvillimit lokal.

Ndërsa rektori i Universitetit Polis, Besnik Aliaj, duke ritheksuar partneritetin biznes-arsim solli shembullin e shkollës franceze të sipërmarrjes. “Ne kemi një bashkëpunimi prej më se 10 vjetësh me shkollën prestigjioze franceze të sipërmarrjes, e cila është shumë interesante për faktin se është një krijesë e Dhomave të Biznesit dhe Tregtisë franceze. Kjo shkollë na ka ndihmuar shumë që të kuptojmë se si sipërmarrja dhe biznesi mund të lidhen me arsimin dhe me natyrën e shkollës sonë. Nisur nga kjo, në Polis ne krijuam edhe shkollën e biznesit e cila nuk dëshirojmë që të mbetet e thatë dhe e shkëputur nga shoqëria. Dhe për këtë ne kemi nisur një bashkëpunim me aktorë të ndryshëm në shoqëri e në mënyrë të veçantë me Dhomën e Biznesit të Diasporës Shqiptare”, tha ai.

E pranishme Zv.Guvernatorja e Bankës së Shqipërisë, Luljeta Minxhozi, tha se vendi ynë që prej vitit 2021 ka filluar me hapa konkrete ligjore në ndihmë të emigrantëve. “1/3 e familjeve shqiptare sot marrin remitancat. Ne që prej prillit të këtij viti kemi futur konceptin e MTO-së, për trasfertat në Euro”, tha Minxhozi.

Ndërsa Deputeti Lavdrim Krashi, pjesë e kësaj tryeze diskutimi, theksoi se tre janë shtyllat ku mund të zbatohen strategjitë për remitancat: Tregtia, investimet dhe transferimi i njohurive dhe aftësive.

Artikuj të ngjashëm
05.07.2022
Për herë të parë në Prishtinë po mbahet Forumi Ekonomik Gjermano-Kosovar. Aktiviteti i nisur ditën e  djeshme dhe do të...
24.06.2022
Rrjeti i Lidershipit Europian (RrLE) lançon Programin shumëvjeçar për vendet e Ballkanit. Kjo konferencë u mbajt në Londër në Parlamentin...
06.06.2022
Nën organizimin e Lidhjes së Shkrimtarëve, Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Gjermani dje në Dyseldorf u mbajt Takimi Tradicional Letrar...